Gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, deputetja e PD-së, Ina Zhupa ngriti akuza ndaj mënyrës së funksionimit të Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, duke pretenduar se institucioni publik po kalon në duart e privatit. Sipas saj, nuk ekziston një marrëveshje direkte me Universitetin e Kembrixhit, por vetëm me një organizatë partnere të lidhur me të.

“Po paraqitet sikur ka marrëveshje me Universitetin e Kembrixhit, por në fakt bëhet fjalë për një organizatë të quajtur Cambridge Partners, që nuk është vetë universiteti. Si mund të mbrohet interesi publik kur një institucion shtetëror kthehet në korporatë dhe i jepet privatit?”, deklaroi Zhupa.

Nga ana tjetër, ministrja Mirela Kumbaro hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Agjencia e Shërbimeve Arsimore mbetet institucion publik dhe se Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka vetëm rolin e donatorit dhe mbështetësit teknik në proces. Kumbaro kujtoi se bashkëpunimi me AADF ka nisur prej vitesh dhe është mbështetur edhe nga qeveritë e mëparshme. Sipas saj, qëllimi është modernizimi i proceseve dhe rritja e standardeve në sistemin arsimor.

“Agjencia do të vazhdojë të kontrollohet nga shteti shqiptar dhe institucionet audituese. AADF nuk merr në dorë shërbimet dhe nuk përfiton fonde publike. Roli i saj është vetëm lehtësues për bashkëpunimin me Qendrën e Vlerësimeve të Kembrixhit”, u shpreh ministrja. Debati u ashpërsua më tej, kur Zhupa deklaroi se provimet shtetërore po i besohen sektorit privat, duke e cilësuar këtë praktikë të papranueshme për vendet europiane.

“A ka një vend në Europë ku provimet e maturës organizohen nga privatët? Po e ktheni shtetin në OJF dhe po delegoni funksione publike sipas dëshirës”, tha deputetja demokrate. Në reagimin përfundimtar, Kumbaro i quajti pretendimet “të pavërteta” dhe insistoi se ligji nuk parashikon privatizim të shërbimeve apo transferim fondesh tek AADF. “Kjo agjenci do të jetë një histori suksesi dhe koha do ta tregojë”, deklaroi ministrja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: