Tre anije cisternë që transportonin naftë janë përfshirë nga flakët në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina detare. Lajmi është bërë i ditur nga Garda Revolucionare e Iranit dhe është raportuar nga televizioni iranian Press TV, pa dhënë detaje mbi identitetin e anijeve apo rrethanat e incidentit.
Forcat e armatosura iraniane kanë shtuar raportimet për zjarre dhe shpërthime në anijet që lundrojnë në këtë kalim strategjik detar, ndërsa Uashingtoni pretendon se pjesa më e madhe e tij është çminuar.
Ngushtica e Hormuzit është një prej korridoreve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë. Përpara shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt, pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, rreth 20% e hidrokarbureve të eksportuara në mbarë botën kalonin përmes këtij kalimi detar.
Që prej nisjes së konfliktit, Republika Islamike ka shënjestruar në mënyrë të përsëritur anijet që tentojnë të kalojnë nëpër ngushticë pa miratimin e saj. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane, duke e bërë situatën në këtë korridor detar edhe më të tensionuar.
