Kryetari Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse, bënë të ditur burimet e Radios Evropa e Lirë.

Siç mëson REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për “arsye sigurie”.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin. Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

“Këtu sot e kemi filluar punën… Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai më 30 maj.

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Ata po kërkojnë po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Tensionet në veri u rritën në veri më 26 maj, kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan. Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

“Ndodhem në Leposaviç, pranë komunës zonës. Që prej ditës së djeshme, rreth orës 5:30 të mëngjesit, kryetari i komunës nuk ka dalë më nga zyra, bashkë me punonjësit e tij. Protestuesit kanë vendosur muzikë nacionaliste serbe, e përkthyer ‘Kosova është Serbi’. Teksa ka nisur disa negociata për të diskutuar që protestuesit të largohen. Janë ushtarët KFOR të cilët janë kanë bërë rrethimin e zonë, ku ka tel me gjemba. Shqetësuese është se gazetarët që kanë raportuar në pjesën ballore të kësaj ndërtesë janë sulmuar me vezë dhe sende të forta. Bëhet fjalë për gazetarët shqiptarë. Gazetarët dhe operatorët janë prekur edhe fizikisht, si dhe i kanë kërcënuar, jo vetëm me fjalë. Provokimet kanë qenë të vazhdueshme. Ditën e djeshme në Zveçan kemi pasur probleme me persona që të prisnin rrugën dhe provokonin, por jemi mundur të qëndrojmë të qetë. Pra sot ka qenë situata më e qetë.

Mediave kosovare dhe shqiptare u janë kërkuar që të mos filmojnë apo publikojnë fytyrat e serbëve. Flamuri i Kosovës është zhvendosur në katin e tretë dhe kjo është bërë që nëse protestuesit do përplasen me KFOR të mos jetë e mundur marrja e flamurit. Ish-kryetari i komunës ka hyrë në negociata me KFOR. Edhe vetë gazetarët janë vënë në vështirësi”, raportoi live gazetari Osman Stafa për BalkanWeb.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: