Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve në katër komuna në veri. Ajo ka thënë se zgjedhjet do të mbahen më 23 prill.

“Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe kohës së përshtatshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas propozimit tim erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023”, ka deklaruar Osmani.

Vendimi është marrë pas takimit të presidentes, Vjosa Osmani, me kryeminstrin Albin Kurti dhe dy partitë opozitare, PDK-në dhe LDK-në.

Osmani në një konferencë për media deklaroi se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, u shpreh Osmani.

Tutje ajo ka përmendur pengesat e zyrtarëve të KQZ-së dhe sulmet ndaj policëve dhe mediave.

Presidentja theksoi se ka kërkuar nga Policia dhe AKI raport për sigurinë para zgjedhjeve në veri, të cilën e ka marrë ditë më parë.

Një raport tha se e ka marrë edhe nga KQZ, ndërkohë, organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk kanë aplikuar për t’i vëzhguar.

“Duke u bazuar në këto raporte, propozimi i im ishte që të shtyhen zgjedhjet në këto katër komuna, diskutuam për datën dhe në fund erdhën në përfundim që të shtyhen për muajin prill, kurse data e saktë sonte, më së largu nesër në mëngjes do t’u kumtohet qytetarëve”, u shpreh Osmani.

Zgjedhjet në veri paraprakisht ishte parashikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore një muaj më parë. Por për shkak të situatës së tensionuar, SHBA-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, kishin  kërkuar me ngulm që zgjedhjet të shtyhen për një datë tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb