Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Peqin, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me kosore fqinjin e tij 52-vjeçar, për motive pronësie. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kodras, ku pas marrjes së njoftimit se një person ishte goditur me kosore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë arrestuar shtetasin me inicialet I. H., 62 vjeç, banues në fshatin Kodras.
Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka tentuar të vrasë fqinjin e tij, A. D., 52 vjeç, për motive pronësie. I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa 62-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë.
