Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar dy persona, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e policisë.

Me arrestimin e tyre, ka shkuar në 40 numri i personave të prangosur për tentativë për të korruptuar punonjësit policorë.

Njoftimi i Policisë Rrugore:

Shkon në 40 numri i shtetasve të arrestuar për korrupsion aktiv ndaj punonjësve të Policisë Rrugore, mbetur në tentativë. Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 2 shtetas, përkatësisht shtetasi me iniciale A. Sh., 33 vjeç, i cili u konstatua për mosrregullim shpejtësie dhe mbas verifikimit rezultoi me masën “Arrest në shtëpi”, si dhe shtetasi A. T., 24 vjeç, i cili u konstatua për mosrregullim shpejtësie.

Të kapur në shkelje, këta shtetas kanë tentuar t’i ofrojnë punonjësit të Policisë së Shtetit, ryshfet. Lufta kundër këtij fenomeni të turpshëm do të intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin aktiv punonjësve të Policisë.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave dhe fton qytetarët të denoncojnë shkeljet, në 112.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb