Detaje të reja për arrestimin e 3 personave në Elbasan, të cilët akuzohen se kanë kërcënuar dhe shantazhuar prej disa kohësh 1 biznesmen.

Bëhet fjalë për shtetasit Algert Alcanin, 27 vjeç, Edmir Bocin, 37 vjeç, Shaqir Alcanin, 62 vjeç, si dhe shtetasi me inicialet L. K., 38 vjeç, i cili është shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për “BalkanWeb” se ndonëse biznesmenit Erald Myftari, administrator i një biznesi me qendër në Cërrik, iu kërkua nga këta persona që të tërhiqej nga gara për tenderin, ai nuk kishte pranuar.

“Tërhiqu se do të vrasim ty dhe familjen tënde”, mësohet t’i kenë thënë autorët në fjalë biznesmenit. Ky i fundit i gjendur përballë kësaj situate, i është drejtuar policisë dhe pas një hetimi 1 mujor, janë vërtetuar dhe kërcënimet, ndërsa mbrëmë dhe sot janë kryer 3 arrestime, ndërsa 1 tjetër ndodhet në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Tenderi”. Operacioni, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Operacioni ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe ka vijuar deri mëngjesin e sotëm. Shtrënguan me anë të kanosjes, administratorin e një kompanie private, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal.

Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.

Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit: E. B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L.K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai adminsitronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb