Një tërmet i vërtetë politik është ky i orëve të fundit në Londër, aty ku kabineti qeveritar i Boris Johnson është tronditur nga dorëheqja e dy emrave kryesorë të tij, Rishi Sunak dhe Sajid Javid.

Kancelari i Financave dhe Sekretari i Shëndetësisë kanë vendosur të largohen nga kabineti qeveritar  brenda pak minutash distancë nga njëri-tjetri.

Menjëherë pasi kryeministri britanik kërkoi falje për emërimin e deputetit të turpëruar nga skandali seksual, Chris Pincher, Johnson mori goditjen e dyfishtë.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Rishi Sunak i tha kryeministrit se “nuk mund të vazhdohet kështu”.

“Besoj se për këto standarde ia vlen të luftohet dhe prandaj po jap dorëheqjen. Unë besoj se publiku është gati ta dëgjojë të vërtetën. Njerëzit tanë e dinë se nëse diçka është shumë e mirë për të qenë e vërtetë, atëherë nuk është e vërtetë. Ata duhet të dinë se ndërsa ka një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë, nuk është e lehtë. Në përgatitje për fjalimin tonë të propozuar të përbashkët mbi ekonominë javën e ardhshme, është bërë e qartë për mua se qasjet tona janë thelbësisht shumë të ndryshme. Më vjen keq që po largohem nga qeveria, por me ngurrim kam ardhur në përfundimin se nuk mund të vazhdojmë kështu”, thotë Sunak në letrën e tij të dorëheqjes.

Edhe Sajid Javid vuri publikisht në dyshim integritetin, kompetencën dhe aftësinë e zotit Johnson për të vepruar në interesin kombëtar.

Ministri i Shëndetësisë i tha kryeministrit: “Me keqardhje të madhe më duhet t’ju them se nuk mund të vazhdoj më me ndërgjegje të pastër të shërbej në këtë qeveri. Unë jam instinktivisht një lojtar ekipi, por populli britanik gjithashtu me të drejtë pret integritet nga qeveria e vetë”.

“Toni që vendosni si lider dhe vlerat që përfaqësoni, reflektojnë mbi kolegët tuaj, partinë tuaj dhe në fund të fundit vendin. Konservatorët në rastin më të mirë të tyre shihen si vendimmarrës kokëfortë, të udhëhequr nga vlera të forta. Mund të mos kemi qenë gjithmonë të popullarizuar, por kemi qenë kompetent për të vepruar në interesin kombëtar. Mjerisht, në rrethanat aktuale, publiku po arrin në përfundimin se ne tani nuk jemi asnjëra. Votëbesimi muajin e kaluar tregoi se një numër i madh i kolegëve tanë janë dakord. Ishte një moment për përulësi, kontrolli dhe drejtimi të ri. Me keqardhje them, megjithatë, se është e qartë për mua se kjo situatë nuk do të ndryshojë nën udhëheqjen tuaj – dhe për këtë arsye ju keni humbur besimin tim gjithashtu”, shtoi më tej Javid.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb