TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar në mbledhjen e qeverisë të gjithë ambasadorët, partnerët e huaj për ndihmat e mesazhet e gatishmërisë në situatën që po kalon Shqipëria. Ai tha se do të firmosë vendimin për ditën e zisë kombëtare.

Rama tha se solidarizimi ka qenë i madh dhe nga Shqipëria, Kosova e diaspora. Ai falënderoi edhe trupat speciale nga Kosova për atë çfarë kanë bërë në operacionet e shpëtimit.

“Doja të falënderoja kabinetin e kancelares që ka vënë në lëvizje mekanizmin e solidaritetit, presidentin e Serbisë që po ashtu si gjithë të tjerët ka shprehur gatishmërinë dhe ka dërguar një mision special. Kryeministrin e Kroacisë. E ndërkohë dua ta rreshtoj për të mos harruar kurrsesi miqtë e CDU-së, të cilët jo vetëm kanë dërguar një seri impresionuese mesazhesh por nga anëtarë të grupit më të madh parlamentar të Bundestagut janë solidarizuar konkretisht duke shprehur gatishmërinë për të bërë gjithçka.

Ky fill drite do të ishte i paplotë nëse nuk do të ishte një solidarizim i plotë nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe për çudinë time nga një numër i konsiderueshëm i mediave italiane për aq shumë mesazhe kanë dërguar duke shprehur gatishmërinë për tu përfshirë në çfarëdolloj procesi ndihme dhe solidariteti.

Duke i falënderuar të gjitha trupat që janë bashkuar në terren dhe i janë bashkuar trupave të sfilitura në terren dhe kanë marrë lidershipin e operacioneve duke zotëruar dhe një ekspertizë shumë domethënëse nga e jona. Për trupat speciale të Kosovës të cilat kanë mbërritur të parët dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës dhe vërtet impresionues”, tha Rama.

Ai shpjegoi se dita e zisë pas fatkeqësisë që goditi vendin do të jetë një, pavarësisht se do të donin të ishin 3, por kjo është e pamundur për shkak të festave kombëtare.

““Sot, qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare dhe duhet të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare 28 dhe 29 na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie. Duhet të ishin tre ditë zie kombëtare duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie që ka marrë 24 jetë njerëzish, një bilanc që sipas të gjitha gjasave nuk do mbetet me kaq. Kjo na e ka pamundësuar të vendosim flamurin kombëtar në gjysmështizë në 28 e 29 nëntor sikundër është normë ndërkombëtarisht e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për një platformë online për të dhuruar para për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti. “Faqja hyrëse e platformës dixhitale të qeverisë, shtetit e-abania ka tre rubrika, njëra e dhurimit online të çdo shume, nga 1 euro apo 1 lekë deri në sa do për të mos lënë vetëm rrugën tjetër atë të llogarisë bankare. Plus është edhe numri i madh edhe rreshtat e gjatë të kontrolleve bankare që mund ta bëjnë më të komplikuar”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: