Pasgoditjet vazhdojnë të tronditin Turqinë, ndërkohë që shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur. Një tjetër tërmet i ri është regjistruar në Turqinë qendrore pak para orës 18:00 të pasdites. Sipas Institutit Euro-Mesdhetar, tërmeti ishte me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter dhe kishte një thellësi fokale prej 10 km.
Epiqendra e tërmetit ndodhet në zonën detare 195 km në veriperëndim të rajonit të Adanas.

Ndërkohë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëriti të martën angazhimin e qeverisë për të ndërtuar shtëpi të reja për viktimat e tërmetit brenda një viti, duke thënë se puna e ndërtimit kishte filluar tashmë.

“Filluam punën për ndërtimin e nevojshëm të qyteteve tona. Në pak muaj do të fillojmë ndërtimin e 309 mijë shtëpive. Ne ju kërkojmë të jepni një vit kohë për këtë”, tha Erdogan, duke folur nga provinca Kahramanmaras.
Lidhur me dhënien e ndihmës financiare, Erdogan tha se “po u japim 100 mijë lira të afërmve të qytetarëve tanë të vrarë në tërmet për nevojat e tyre urgjente. Po paguajmë 10 mijë lira për secilin nga qytetarët tanë që janë prekur nga fatkeqësia.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb