Një ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, që la pas 24 të vdekur dhe 657 të lënduar, ndërkohë që ende ka njerëz nën rrënoja, kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme kabinetin qeveritar. Teksa ka bërë bilancet e humbjeve në njerëz, kreu i qeverisë pohoi se 45 persona janë shpëtuar nga rrënojat, duke u nxjerrë të gjallë, ndërsa shtoi se dita e djeshme ka qenë ndër momentet më të errëta.

Po ashtu kryeministri bëri me dije se sot do të shpallet ditë zie, në nder të viktimave që humbën jetën nga termeti me magnitudë 6.4 i shkallës rihter.

“24 të vdekur, 657 të lënduar, deri tani 45 jetë të shpëtuar. Tërmeti sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të policisë së Shtetit, të forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit deri tek ata që pritën dhe trajtuan gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur”, tha Rama.

Po ashtu Rama nuk ka pa falënderuar të gjitha shtetet që u solidaruan, duke ofruar ndihmë për vendin tonë, siç ishte dërgimi i forcave të kërkim shpëtimit si dhe pajisje të veçanta për këto lloj fenomene natyrore.

“Në këto 24 orë të zymta ka pasur pa diskutim në të gjithë harkun kohor një fill të pandërprerë drite si rezultat i një angazhimi, ku të gjithë kanë qenë të angazhuar në vijën e parë. Solidariteti mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar. Mirënjohje për presidentin e Kosovës, kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e pazëvendësueshëm të këtij vendi, pasi ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta, duke u ekspozuar plotësisht për tu ardhur në ndihmë njerëzve dhe qeverisë tonë për të përballur këtë situatë shumë sfiduese. Më pas vjen kryeministri i Greqisë, i cili përveç të tjerave ka sjellë menjëherë duke devijuar programin, ministrin e Jashtëm dhe me një delegacion të gjerë në Tiranë, presidentin e Francës, i cili po ashtu, pasi kemi komunikuar disa herë, edhe pse me të njëjtën kohë është përballur me një fatkeqësie të madhe në Francë, ka vënë në lëvizje ministrinë e Brendshme të Francës, me një paketë prej 3 misionesh drejt Shqipërisë.”, theksoi kryeministri.

Mes të tjerash Rama sqaroi edhe vonesën në mbledhje të ministres Belinda Balluku, e cila sipas tij kishte qenë tërë natën në Durrës për të parë nga afër aksionin për kërkim shpëtim.

“Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që kishte shpërthyer. Dje kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me njeri-tjetrin por vetëm në rrugë dixhitale sepse secili ka qenë në një pikë të fronit. Ministrja Balluku erdhi vonë në mbledhje por jo sepse u zgjua vonë por se është gdhirë në atë rrugicën përballë rrënojave që mbajnë 6 trupa. Kështu që ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme, bazuar në Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës”, tha pohoi Rama.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb