Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur Presidentit të Kosovës, ku ky i fundit e sfidoi publikisht për një debat  në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Berisha në një prononcim për mediat kosovare ka deklaruar se më parë është i gatshëm për një debat me Aleksandër Vuçiçin se sa me Thaçin, duke injoruar kështu thirrjen e tij për debat publik.

Thaçi ka kërkuar të enjten ballafaqim televiziv  me Berishën, pasi ish-udhëheqësi i Shqipërisë javëve të fundit ka paraqitur një sërë argumentesh kundër idesë së presidentit kosovar për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën Express, Berisha ka bërë të ditur se e refuzon ftesën e Thaçit për debat televiziv me të. Teksa ka thumbuar Thaçin, Berisha ka thënë se më përpara do të dilte në debat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Udhëheqësin serb, Berisha e ka cilësuar “patron” të Thaçit.

“Po të jetë për debat, para një argati shqipfolës albanofob, dhe një patroni të tij në Beograd, për ballafaqim do të preferoja këtë të fundit. Këtë e kam shprehur edhe më parë”, ka thënë Berisha.

Berisha kishte vlerësuar se plani i Thaçit për kufijtë parasheh ndarjen e Kosovës. Ai kishte thënë po ashtu se Thaçi po i ndjek planet e Serbisë për Kosovën. Ish-udhëheqësi shqiptar kishte deklaruar në T7 se më përpara do të takonte një serb, sesa Thaçin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: