TIRANË – Zv.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka konsideruar si normale dhe të zakonshme, vizitën e Kryeministrit serb Vuçiç në Kosovë, pasi “ne duhet t’i rrisim dhe intensifikojmë vizitat e ndërsjellta dhe të mos i frikësohemi komunikimit”, tha ai.

Deklarata e Thaçit u bë sot nga Tirana, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.

“Vizita e kryeministrit të Serbisë në Republikën e Kosovës bëhet me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pasi ka kërkuar leje. Kjo nuk është vizita e parë e as e fundit e ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Këto vizita po ndodhin pas dialogut që ka ndodhur  në Bruksel dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe kjo vizitë po ndodh pas vizitave të ministrave të qeverisë  së Republikës së Kosovës  në Beograd, Ministrit  të Drejtësisë, Ministrit të Jashtëm, Ministrit të Brendshëm.

Këto janë vizita tashmë gati normale, të zakonshme të dy shteteve edhe pse jo të njohura reciprokisht. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar, do të përurohet një spital dhe do të vizitohet një kishë në Graçanicë. Mendoj se ne duhet të fokusohemi që ta rrisim dhe intensifikojmë komunikimin, vizitat e ndërsjella dhe në asnjë rrethanë të mos i frikësohemi komunikimit dhe vizitave, qoftë në Beograd, qoftë në Prishtinë,”- theksoi ai.

Zv.Kryeministri kosovar Hashim Thaçi erdhi sot në Tiranë për të rakorduar me Qeverinë shqiptare, mbledhjen e dytë të përbashkët ndërmjet dy qeverive.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb