TIRANE – Pa u ftohur mirë situata dhe në valën e polemikave për mesazhet flirtuese dhe aludimin e favoreve seksuale për një vend në formacion apo në grumbullimin kuqezi në raport me trajnerin Altin Rraklli, ka edhe më shumë se kaq.

Skandali i thellë që ka pushtuar kombëtaren e femrave zgjerohet më shumë dhe këtë herë një ish-futbolliste ka vendosur të flasë dhe e ka bërë duke kontaktuar gazetën “Sport Ekspres”. Këtë herë kemi të bëjmë me emër dhe mbiemër dhe ka mbrojtur portën kuqezi. Bëhet fjalë për Rifajede Shala. Për shumë nuk mund të tingëllojë si një emër i njohur, por për ato që njohin futbollin e femrave dhe Kombëtaren e dinë se dikur ka veshur fanelën kuqezi.

Ajo sot luan në Gjermani, por dikur ka veshur fanelën e Tirana AS, Prishtinës dhe pikërisht me përfaqësuesen kuqezi. Edhe ajo, që tashmë s’është më pjesë e Kombëtares, ka shprehur shqetësimin e saj për gazetën “Sport Ekspres”, duke vendosur gishtin mbi stafin teknik dhe duke shprehur indinjatë:

“Në atë Kombëtare, sa të jetë ai staf, nuk kthehem më. Sepse kam respekt për veten. Në atë Kombëtare jam ofenduar më shumë se çdo vend tjetër, sidomos nga trajneri Altin Rraklli, i cili pas ndeshjes që kemi luajtur ndaj Malit të Zi dhe kemi fituar, ka debatuar me mua në dhomat e zhveshjes. Duke më sharë me një fjalor rruge. Madje, arriti deri aty sa më tha se do të më godiste me shuplakë nëse vazhdoja ta kundërshtoja… Madje, më duhet të shtoj se edhe shumë vajza aty nuk janë dakord me atë staf, por kanë frikë të flasin, sepse mund të kenë pasoja, madje deri në kërcënime”, mbyll portierja, e cila pikërisht për të shmangur këtë gjendje të rënduar edhe psikologjike ka vendosur të transferohet jashtë vendit. Në fakt, Shala ka qenë një nga portieret më të dalluara në Ballkan.

Shfryrja
Duke u ndalur tek çështja e lesbikeve, ja komenti i Shalës: “Vetëm edhe një gjë dua të shtoj mbi artikujt që kam lexuar mbi lesbiket. Ka kohë që s’jam pjesë e kombëtares dhe nuk e di nëse ka apo nuk ka. Por, edhe nëse ka, është e drejta e tyre private dhe ka ligj që për këtë punë të dënon nëse i nxjerr diçka tjetrit. Sakaq, problemi s’është tek vajzat, por stafi dhe federata. Askush nga federata nuk më pyeti se pse nuk luajta më me këtë fanellë dhe e refuzova. E pra, që kur kam ikur, ka pasur vetëm humbje, pa i shtuar vlerat vetes. Kur isha në skuadër, ka pasur grup gocash të mira, por stafi prishi gjithçka. Pse federatës kjo gjë s’i ka interesuar asnjëherë?! Duhet të kishte lëvizur më herët dhe sot rezultatet do të ishin pozitive për këtë kombëtare. i kam thënë edhe Rrakllit dhe stafit përpara se të ikja: nga këto marrëzi nuk do të keni shpëtim”.

Mesazhet flirtuese, zbulohen edhe dy të tjera
Ashtu si dy ditë më parë u publikuan mesazhe telefonike ndërmjet trajnerit të kombëtares së femrave, Altin Rraklli, dhe një prej futbollistëve, e cila sipas përmbajtjes, nuk gjente hapësira për t’u thërritur dhe luajtur në formacion, ka edhe mesazhe të tjera. Në fakt, nga ato telefoniket në facebook, biseda është edhe më e gjatë, edhe pse subjekti në fjalë s’ka dashur të zbulojë identitetin. Sigurisht, nga mesazhet telefonike tek ato në facebook bëhet fjalë për dy vajza të ndryshme.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb