Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Autori i letrës (Mehmet Shehu) bën një përmbledhje të karrierës dhe të përfundimeve për qëndrimet e tij politike e shtetërore. Nuk sqaron përse shkruan kaq gjatë, për problemet që ai ka analizuar gjerësisht në 39 faqe, në autokritikën e datës 12 nëntor 1981. Më parë i ka dërguar Enver Hoxhës edhe një projekt-autokritikë. Vdekja është gjetur si mënyra për t‘u ndarë nga jeta në çastet e vështira. Populli thotë se kush vret, do ta pësojë edhe vetë përfundimin tragjik. Ai kishte sindromën se do të përfundonte me vdekje! Do ta vrisnin apo do të vetëvritej?! Ky është problemi themelor që kërkon analizën dhe përfundimin më të drejtë, si një vendim i marrë me ndërgjegje, i imponuar nga rrethanat e rënda në të cilat ndodhej, përpara një fakti që e parandiente se do të ndodhte etj.

Këto probleme kërkojnë arsyetim të thellë të fakteve dhe provave, si dhe përfundim shkencor nga ana juridike. Tërheq vëmendjen thënia: Duke mos gjetur rrugë tjetër, ai ka vendosur t’i japë fund jetës së tij me anë të vetëvrasjes. Nuk pranon se po vritet, por se po e vret Jagua dhe Hrushovi: “Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlyshi i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtare me Hrushovin që juve e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste…”

Pranon gabime në punën e tij, por hedh poshtë akuzat duke i cilësuar si të përbindshme: “Jo, shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm” (me ju), për të vënë veten mbi Partinë etj., akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë.”

Insistohet në besnikërinë, sinqeritetin dhe devotshmërinë. Nuk pranon akuzën për alibi. Tregon se cilët ishin personat me rrezikshmëri më të madhe në ato situata të rënda politike të luftës për pushtet: “Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dalë përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre ishte se unë gabimin e bërë “për të vënë veten time mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, domethënë kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju personalisht, nuk më quajtët armik, por Jagua, Hrushovi e edhe të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik.”

Nuk pranon akuzën si armik: “E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik, armik është Jagua. A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis ne të dyve, domethënë për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Belishovën e Çu En Lain? Ata s’mundën t’ia  arrinin qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye të komplotit. Këtë herë ia doli në krye Jagua. Ju mund të më quani si të doni, e keni vetë në dorë. Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi se, ndryshe, pas teje këtu do të sundojnë hrushovianët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them për Jagon dhe Hrushovin tani, aherë unë s’të kam faj, i dashur Enver, aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia – vetëvrasja.”

Mehmet Shehu akuzon konkretisht për tradhti dhe për spiunazh Kadri Hazbiun dhe Ramiz Alinë, duke i përmendur me cilësimin ironik: Jagon dhe Hrushovin: “… Jagua intrigant, këlyshi i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtare me Hrushovin që juve e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste, atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy (Jagon-gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), – pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistëleninistë?”. Domethënë s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them, po të doni, kjo është puna e juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot JagoHrushov, po veproj siç veprova.”

Mendimet, porositë e lutjet e Mehmetit marrin natyrën e testamentit: Dëshmon besnikërinë ndaj socializmit, Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Lë familjen duke shprehur besimin e plotë në mbështetjen që ajo do të kishte nga Enver Hoxha. Ky besim i idealizuar që ai i shpreh, evidenton një realitet tjetër, armiqësinë dhe egërsinë me të cilën u reagua për ta dënuar, eliminuar dhe zhdukur çdo gjurmë të tij. Enver Hoxha vihet para përgjegjësisë konkrete e direkte për vdekjen e Mehmet Shehut. Për këtë arsye Letra e Mehmetit nuk u bë e njohur në origjinalin e saj as në Tablonë Sinoptike dhe as në ndonjë formë tjetër zyrtare.

Komunistët dhe drejtuesit e lartë të Partisë së Punës, funksionarët e lartë dhe punonjësit shtetërorë dhe në tërësi populli nuk u njoh në kohë me letrën-testament. Enveri nuk e respektoi të drejtën për njohjen e letrës nga opinioni shoqëror sepse pavarësisht dashurisë që Mehmeti shpreh për Enverin në letër, atje ka dhe akuza direkte, si edhe të nënkuptuara për vetë atë. Opinioni shoqëror kuptonte se Enveri mbante përgjegjësi të rëndë për vdekjen e shokut të tij të ngushtë, kryeministrit në detyrë. Krahas dënimit që ai ndiente nga ky opinion, ai indirekt akuzohej konkretisht edhe në letër me fraza të formuluara qartë se “unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe me gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë”.

Ky formulim jep përfundimin: “Ti, Enver, po më vret”. Përse në vazhdim të mbledhjes nuk u mor vendimi për të dhënë masën e dënimit ndaj Mehmetit? Përse u shty mbledhja me arsyetimin për t’i dhënë kohë Mehmetit për të reflektuar dhe për të vendosur të nesërmen? Në letër nuk arrihet në konkluzionin e nevojshëm përse u shty mbledhja për dhënien e masës së dënimit ndaj Mehmet Shehut. Qëndrimet në bllok të anëtarëve të Byrosë Politike kundër Mehmet Shehut, si dhe mendimet e dhëna prej, ishin të qarta për secilin pjesëmarrës në atë mbledhje. Pretendimi për t‘i dhënë kohë Mehmetit për të reflektuar është i paargumentuar dhe nuk krijon bindje.

Çështja kërkohej të merrte zgjidhje dhe nuk kishte vend për shtyrje të mbledhjes. Me të drejtë shtyrja e mbledhjes krijon dyshime dhe bëhet shkak për akuza për pasojat e ndodhura pas mbledhjes. Përgjegjësia për shtyrjen e mbledhjes dhe pasojat e ndodhura ngarkojnë me përgjegjësi direkte Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Analiza e të dhënave të njohura deri tani evidenton se propozimi për t’i dhënë kohë Mehmet Shehut për të reflektuar dhe pastaj për të vendosur për masën e dënimit është bërë nga Ramiz Alia. Kjo del nga procesverbali i Mbledhjes së Byrosë Politike.

Kjo e dhënë mund të vlerësohet si një procedurë normale. Por mund të vlerësohet edhe si preteksti i përdorur për të mos lënë më prova të tjera për qëndrimin e Mehmet Shehut ndaj masës që do të merrej. Dihej se do të mbahej qëndrimi ekstrem, si edhe në rastet e tjera ndaj atyre të shpallur armiq të Enver Hoxhës dhe të Partisë së Punës. Mbi këto argumente bazohen edhe dyshimet, se për t’i dhënë fund kësaj tragjedie të parapërgatitur, është shtyrë mbledhja, për të realizuar vrasjen dhe mbulimin e saj si vetëvrasje. Letra është e domosdoshme të analizohet bashkë me autokritikën dhe diskutimet në mbledhjet e Byrosë Politike. Faksimile e autokritikës së Mehmet Shehut dorëzuar Enver Hoxhës.284 …

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: