Tri shtylla në debutim, por një paraqitje bindëse se mund të jetë ai sozia e Hamdi Salihit te Skënderbeu. Bëhet fjalë për sulmuesin malazez, Goran Vujoviç, i cili luajti për herë të parë me fanellën e skuadrës korçare në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Europës kundër Sant Hulias.

Shtyllat i mohuan golin e parë 30-vjeçarit dhe për këtë ai ndihet shumë keq, edhe pse është i bindur se do të shënojë në ndeshjen e radhës. Dje, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi malazez i Skënderbeut flet për muajin e tij të parë me korçarët, shtyllat në ndeshjen debutuese, si dhe premtimin për golat. “Besoj se mund të shënoj 15 gola në kampionatin shqiptar, por ndoshta e kaloj edhe këtë shifër”, ka thënë ndër të tjera Vujoviç.

Goran, keni debutuar me fanellën e Skënderbeut në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Europës. Si u ndiet në stadiumin e Korçës?
Ka qenë një ditë e veçantë për mua, pasi bëja prezantimin zyrtar me Skënderbeun në Ligën e Europës dhe për më tepër para publikut korçar. Ka qenë një debutim deri diku i mirë, por me pak më shumë fat do të kishte qenë i ëndërruar nga të gjithë. Por, do ta provoj herës tjetër.

E keni fjalën për golin e munguar, kur në vetëm dy goditje të portës, keni gjetur tri herë shtyllën. Ju kishte ndodhur më parë kështu?
Jo, nuk më kishte ndodhur asnjëherë në karrierën time. Madje, të vjen çudi ta mendosh që të godasësh tri herë shtyllën. Besoj se nga rastet që kam krijuar, është debutim i mirë në përgjithësi, por asnjëherë nuk ka qenë debutimi kaq i pafat. Do të ishte super nëse do të shënoja edhe një gol, por edhe kështu nuk ishte keq. Duket qartë se fati nuk ka qenë me mua, por kjo nuk do të thotë se kështu do të vijojë gjithmonë. Shpresoj që fati të rikthehet shpejt, pse jo që në ndeshjen e kthimit në Andorrë, ku jam i bindur se mund të shënoj.

Cilat janë karakteristikat e Vujoviçit, natyrisht kjo pyetje është për ata që ju njohin pak?
Është shumë e sikletshme kur flet për veten, por jam një sulmues që më pëlqen të lëviz edhe pa top, pra të vihem në shërbim të ekipit. Ndoshta kjo është diçka që më bën të përshtatem shpejt me grupin. Nuk jem ende plotësisht i përshtatur dhe kemi pak vështirësi, por me kalimin e ditëve gjithçka do të jetë OK.

Godisni më mirë me të djathtën apo të majtën?
Luaj me të djathtën dhe ajo është këmba ime, por brenda zonës së rreptësisë nuk bëj diferenca, pasi njësoj i kam të dyja.

U bë afro një muaj që jeni pjesë e ekipit, ndiheni i përshtatur me grupin?
Jam bashkuar me Skënderbeun në Slloveni dhe mendoj se po ecën gjithçka mirë. Ekipi më ka pritur shumë mirë dhe kjo ma bën më të thjeshtë përshtatjen. Kam një mik si Marko Radas, me të cilin jam ndier menjëherë si të isha në familje.

Çfarë ekipi ju është dukur Skënderbeu, i plotëson apo i tejkalon pritshmëritë tuaja?
Për aq kohë sa jam në ekip, më duket i mirë dhe i orientuar të luaj më shumë në sulm, duke kërkuar gjithmonë fitoren. Por e thashë edhe më sipër, nuk kam ende një muaj duhet të njihemi më tepër, pasi çdo gjë kërkon pak kohë që të bëhet më harmonike situata.

Nga Buduçnosti kampion në Mal të Zi te Skënderbeu, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet?
Janë të dyja ekipe shumë të mira që luftojnë gjithmonë për tituj. Buduçnosti vjet luftoi për titull dhe arriti ta fitojë në fund, ndërsa edhe Skënderbeu këtë sezon do të luftojë për titull dhe shpresoj ta fitojmë. Luajnë të dy si ekipe në sulm dhe kundërshtarët gjithmonë mbyllen përballë tyre. Këto janë të përbashkëtat, përveçse kanë në ekip lojtarë mjaft cilësorë. Skënderbeu ka diferencë nga Buduçnosti, vetëm për faktin se ka bërë më shumë histori në Europë.

Sa gola premtoni te Skënderbeu?
Është paksa pyetje e sikletshme, sepse nuk më pëlqen të bëj premtime. Por, besoj se duke parë edhe cilësinë që ka ekipi i Skënderbeut, do të arrij të kaloj kufirin e 15 golave në sezon. Shpresoj të jenë të gjithë gola vendimtarë, duke i shërbyer në maksimum skuadrës.

Shpesh ju krahasojnë me sulmuesin Hamdi Salihi, që ishte kryegolashënuesi i skuadrës në dy sezonet e fundit. Ju bezdis ky fakt?
Jo, aspak. Tifozët kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan dhe të më krahasojnë me cilindo lojtar. Unë do të përpiqem të krijoj profilin tim në Korçë. Nuk do të më vinte aspak keq, pasi Salihi ka qenë një sulmues i Kombëtares tuaj dhe është një idhull për tifozerinë. Por, edhe unë do të di si të fitoj zemrën e tifozëve të Skënderbeut.

Ndaj Sant Hulias pritej goleadë, çfarë i mungoi Skënderbeut?
Besoj se na mungoi fati. Goditëm tri shtylla, humbëm një penallti dhe shpërdoruam raste pa fund. Megjithatë jam i bindur se në Andorrë gjithçka do të shkojë ndryshe./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: