TIRANË – Vdekja tragjike e vogëlushit Driton Jashari të komunitetit egjiptian në Kosovë nga kafshimet e qenve endacakë ka kthyer këto ditë vëmendjen e opinionit mbarëshqiptar nga ky komunitet pa gjuhë, pa simbole, por me karakter të qartë etnik.

Jo më larg se dje, në Tiranë, egjiptianët e Shqipërisë (që në gjuhën vulgare quhen evgjitë) mblodhën Këshillin Organizativ Ballkanik Egjiptian me synimim për të parapërgatitur në vitin 2015, Kongresin e Simboleve dhe të Identitetit, sepse ata duan emblemën e tyre. Në këtë takim merrnin pjesë anëtarë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, deputetët nga Kosova dhe Sekretari i Përgjithshem i Unionit Ballkanik Egjiptian, Dr.Rubin Zemon nga Maqedonia.

Të pranishëm ishin edhe deputeti kosovar, përfaqësues i këtij komuniteti, Veton Berisha dhe ish-deputeti i katër legjislaturave, Xhevdet Neziraj.

“Në Kosovë, – tha me dhimbje, deputeti Veton Berisha në fjalën e tij, – shumë nga egjiptianët e gjejnë ushqimin e tyre të përditshëm aty ku e gjejnë edhe qentë: Në kazanët e plehrave!”

Edhe të tjerë folës u shprehën se ndaj këtij komuniteti nuk tregohet kujdes, duke e lënë të fundit në punësim, në shkollim, në strehim, në mjekim, në ndihma humanitare. Ndërsa, në raste fushatash elektorale, kandidatët për deputetë i venë në pozita fyese, egjiptianet, duke ua vjedhur votën me ndonjë thes miell, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë mjerimin e tyre në jetë!

“Është e hidhur, shumë e hidhur, por edhe e vërtetë, – theksoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës së Egjiptianëve të Shqipërisë, Behar Sadiku, – që në kryeqytetin tonë, Tiranë, një pjesë e komunitetit egjiptian jeton në geto!

Në mbledhje u diskutua për mbajtjen e Kongresit III të Unionit Ballkanik të Egjiptianeve. Ra në sy se të gjitha diskutimet ishin të një niveli shumë të lartë, fale edhe ngritjes arsimore dhe politike të të gjithë atyre që diskutuan.

Ajo që spikati ishte fakti se përfaqësuesit e shoqatave egjiptiane nga të gjitha vendet e rajonit, shpreheshin me gjuhë tolerance, duke kërkuar më shumë nga vetja se sa nga qeveritë përkatëse dhe nga OJQ-të.

Ata ngulën këmbë sidomos te krijimi dhe forcimi i identitetit si komunitet. “Vërtet nuk kemi gjuhë, siç kanë romët, – thanë ata, – por ne kemi shumë dukuri të tjera të karakterit etnik, që na bëjnë një komunitet homogjen. Në shumë qytete të Shqipërisë, – theksuan ata, – ka lagje të tëra me banorë të komunitetit tonë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb