TIRANË- Specialistët e Komisariatit të Policisë nr.4 Tiranë, bënë të mundur finalizimin e operacionit “Automobili i fundit”. Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan dy shtetas dhe u procedua në gjendje të lirë një i tretë për veprat penale të “Vjedhje e pasurisë e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Sipas policisë të prangosur janë, Romeo Rakipi, 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje; Dervish Bara, 47 vjeç, banues në Durrës dhe procedohet në gjendje të lirë shtetasi: S. A. 63 vjeç, banues në Durrës.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohen si autor të vjedhjeve të dy automjeteve . Më datë 4 maj 2016, është vjedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit D. D., 45 vjeç, banues në Tiranë. Automjeti u gjend në Spitall Durrës, në një pikë skrapi në pronësi të shtetasit D. B.. Po ashtu, më datën 7 maj 2016, është vjedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit P. S., 56 vjeç, banues në Tiranë. Automjeti u gjend në Durrës, në një pikë skrapi në pronësi të shtetasit S.A. Këto automjete dyshohen të jenë shitur në pikat e skrapit nga Romeo Rakipi, mjete të cilat dyshohet t’i ketë vjedhur në bashkëpunim me një shtetas tjetër (po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorit).
Nga hetimet e bëra rezulton se Romeo Rakipi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, janë autorë të dyshuar të disa ngjarjeve të tjera.
Konkretisht më datën 5 mars 2016, në rrugën “Siri Kodra”, është vjedhur automjeti tip “Mitsubishi”, në pronësi të shtetasit A. L., 36 vjeç, banues në Tiranë. Më datën 16 mars 2016, në rrugën “Faik Konica”, është vjedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit Sh. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë. Më datë 27 mars 2016, në rrugën “Siri Kodra”, është vjedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit B. A., 39 vjeç, banues në Tiranë. Më datën 11 prill 2016, në rrugën “Belul Hatibi”, është vjedhur automjeti tip “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit I. K., 53 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhje e pasurisë e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga nenet 134/2, 287/b dhe 25 të Kodit Penal.
(ed.me/BalkanWeb)
