Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar, mes të cilëve dhe ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj.

Urdhri i ekzekutimit të vendimeve mbërriti në policinë e Lezhës mesditën e të premtes dhe menjëherë policia është vënë në lëvizje për ekzekutimin e vendimeve.

I vetmi person që ndodhet tashmë në qeli është ish-kryabshkiaku i Lezhës Fran Frrokaj i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes, ndërsa për personat e tjerë ende nuk ka asnjë gjurmë.

Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre por pa ja arritur qëllimit. Në këto kushte ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.

Kujtojmë se ish kryebashkiaku i Lezhës është dënuar më 28 tetor nga Gjykata e Apelit të Shkodrës me vendim të formës së prerë me 3 vite burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhur në Shëngjin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb