Paqja rurale e fshatit Gryksh i Madh në Njësinë Administrative Pajovë në bashkinë e Peqinit është tronditur nga një protestë masive e disa qindra banorëve të cilët kanë ngritur zërin për të drejtat e tyre të mohuara nga zbatimi i projektit të autostradës që kalon mes për mes fshatit.
Rreth 1500 banorë të këtij komuniteti që përbëhet nga 350 familje kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndërtimin e një nënkalimi në vendin ku kalon segmenti i autostradës Lekaj–Peqin–Elbasan, si dhe për të shprehur indinjatën ndaj mungesës së transparencës dhe shpërfilljes nga autoritetet dhe kompania zbatuese e projektit.
Protestuesit kanë theksuar se ndërtimi i autostradës u ka dëmtuar rëndë jetën ekonomike dhe sociale duke ndërprerë aksesin drejt pronave të tyre bujqësore. Ata kërkojnë me ngulm kompensim me vlerën reale të tregut për tokat që janë zënë nga projekti i infrastrukturës, ndërtimin e rrugëve dytësore për të arritur në tokat e tyre, si dhe rikthimin në funksion të kanaleve vaditëse dhe kulluese, sistemit të ujit të pijshëm dhe të ujërave të zeza.
Ata kërkuan që ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, të vizitojë zonën brenda tre ditëve, duke paralajmëruar se në rast të mosveprimit, ata do të bojkotojnë zgjedhjet.
“Ne jetojmë brez pas brezi në këtë fshat. Këto toka nuk janë të zakonshme ,janë blerë nga të parët tanë me flori dhe franga ari. Sot nuk kërkojmë më shumë se të drejtën tonë dhe respektimin e ligjit,” shprehen protestuesit.
“Ju bëj thirrje të gjithë banorëve të fshatit që t’i bëjmë thirrje ministres Balluku se nëse nuk vjen këtu brenda 3 ditëve, ne do bojkotojmë votimet. Ose do ikim do futemi në Ambasadë që të përsërisim korrikun e 1991 dhe kjo është protesta e dytë dhe asgjë konkrete nuk ka”, vijon deklarata e protestuesve.
Ata theksojnë se dëmtimi i rrjedhës natyrore të lumit Shkumbin është një tjetër shqetësim madhor i cili, sipas tyre mund të sjellë pasoja mjedisore të parikuperueshme për zonën. Banorët shprehen thellësisht të zhgënjyer nga institucionet shtetërore dhe nga kompania që po ndërton autostradën duke i akuzuar për mungesë të theksuar transparence dhe mosrespektim të të drejtave të komunitetit lokal.
“Nuk kemi më asnjë besim. Asnjë forcë politike nuk na përfaqëson. Nuk kemi më dëshirë të shkojmë as në qendrën e votimit,” u shprehën disa nga protestuesit, duke theksuar se ndihen të tradhtuar dhe të shkatërruar ekonomikisht.
Në përfundim të protestës, banorët paralajmëruan se, nëse nuk merren masa konkrete dhe të shpejta për adresimin e kërkesave të tyre legjitime, ata do të përshkallëzojnë më tej aksionet qytetare dhe nuk përjashtojnë as bojkotin e plotë të institucioneve vendore dhe qëndrore.
(BalkanWeb)
