TIRANË- Në një konferencë të paralajmëruar për mediat, deputetja Jozefina Topalli dhe Arben Imami kërkuan shkarkimin e kreut të PD-së Lulzim Basha. Ata thanë se lista e kandidatëve për deputetë të PD-së është listë humbëse duke kërkuar mbledhjen e forumeve të partisë për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha.

Topalli me ish-deputetin Arben Imami sulmoi hapur liderin e PD-së, ndërsa tha se ky është një moment kritik për PD-në dhe se me drejtimin e Bashës, Rama do të sundojë për një kohë të gjatë. Ajo foli për plane të fshehta mes Bashës dhe Ramës.

“Në një moment shumë delikat dhe kritik për PD për atë që njohim kemi menduar të jemi bashkë me zotin Imami në këtë komunikim. Nga data 26 maj kjo nuk është më PD e 1990. Pikërisht për shkak të kaosit që është krijuar, për bojkotin që po i bëjnë demokratët fushatës së PD-së. Me mënyrën e drejtimit të Bashës, Edi Rama do të sundojë dhe do të qëndrojë në krye të qeverisë për një kohë të gjatë. Unë nuk i di hollësitë e marrëveshjes. Kam dyshime të shumta për çfarë ka ndodhur dhe cili është projekti për të ardhmen. Preokupimi im është PD-ja”, tha Topalli.

Ndërsa Arben Imami bëri publike disa pika që ai dhe Topalli nuk janë dakord me linjën e ndjekur deri tani nga ana e Lulzim Bashës. Ai theksoi mes të tjerash se lista e kandidatëve të PD ka qenë e njëanshme dhe se nuk ka pasur asnjë mbledhje ku të diskutohej si çdo herë të tjetër.

“Pas gjendjes së krijuar në PD, kjo ka krijuar një shqetësim serioz, për militantët, intelektualët, anëtarët. Nuk votohet Edi Rama, duke shkatërruar PD, vendimi është marrë nga një njeri i vetëm, në çdo shkelje, në shkelje të ligjit. Pasi statusi depozitohet në gjykatë. Ligji është nul. Por më shumë se kaq, në gjithë këto vite, nuk ka qenë traditë e PD, që mos të konsultohet dhe merren vendime aty ku duhet të merren në forumet e partisë. Ne kërkojmë mbledhjen e forumeve të partisë, shkarkimin e Bashës, kryetarit të PD. Të ecet në këtë drejtim, pasi nuk ka kohë, kemi marrë këtë vendim, pasi në 26 qershor do jetë shumë vonë. Kjo është listë humbëse”, tha Imami.

Pyetje nga gazetarët
Zonja Topalli, ju sapo thatë se PD është parti që ju keni kontribuar 27 vite. A nuk kishte ardhur momenti që tu lihej radha të rinjve??

Absolutisht si një person që kam qenë drejtuese e PD për 20 vite kjo është historia e saj. Hapja e PD me të rinjtë, duke u konsultuar me degët, rrethe, për të përfaqësuar me të rinj… Në ‘96 kur hyra në Parlament dhe nuk ishte ky Kuvend. Janë shumë pak ata demokratë që aty, dhe besoj se ndihen keq. Basha ndoshta i përdor si alibi. Sot nuk kam asnjë dilemë, kjo nuk është PD që unë njoh, me të cilën unë kam punuar dhe jam rritur. Kjo është një parti që e ka marrë në dorë Lulzim Basha. Lista është në tërësinë e saj, lista e familjes Basha dhe biznesit të tij.

Imami: Problemi themelor është që në këtë listë, sikurse e kanë parë të gjithë, mungojnë edhe të rinjtë e partisë. Ky është një problem akoma më i madh. Ata njerëz që u përfshinë, që kontribuuan në zgjedhjet e 2015-ës, ata njerëz që patën rezultate nuk janë. Nuk flasim për prurje të 2005-ës por edhe të 2013-ës e më pas. Padyshim jemi për të rinjtë.

A do jeni në garë?
Topalli: Ne po flasim për një moment kritik jo vetëm të PD-së por edhe për një moment kritik ë rrezikut të rrëshqitjes së Shqipërisë. Kemi qenë bashkë, kur kemi denoncuar krimin në parlament. Ndonjëherë e kam ndjerë veten të vetmuar, por kjo nuk kishte rëndësi. Ndonjëherë kam parë reagim të vonuar nga selia, po kjo nuk kishte rëndësi. Pavarësisht se merrja dhe kërcënime. Nuk ka grua në Shqipëri që ka pasur kaq sukses sa Jozefina Topalli. Po mua më dhemb shpirti, sepse nuk mund të shikoj ku e ka katandisur PD-në Lulzim Basha, në axhenda klienteliste, për të cilën unë turpërohem.

A e dëmton kjo gjë PD-në?
Imami: Data 26 qershor është shumë vonë. Ka një reagim paraprak. Nuk është vetëm i yni. Ka një mesazh të qartë që thotë se nuk mund të rrëzohet Edi Rama kështu. Në datë 26 do të ketë kryer punë.

Ndihma më e madhe ndaj Edi Ramës, ka qenë është dhe ka për të qenë vetëm Lulzim Basha. Vendi po rrëshqet drejt greminës. Edi Rama është një fatkeqësi e madhe por sot ata janë tre. Nuk mund të sundojnë vendin 3 vetë.

Nëse do ishe në lista, do ishe sot këtu për të denoncuar shkelje?
Imami: Absolutisht po, ligji nuk mund të shkelet edhe kur humbet dhe kur fitohet.

E ka dijeni zoti Berisha për kërkesën tuaj që të shkarkohet Basha?
Topalli: Zoti Berisha i di të gjitha mendimet e mia ndër vite.

A jeni konsultuar me zotin Berisha?
Imami: Jo

E keni njoftuar zonjën Bregu të jetë me ju?
Topalli: Do ftojmë çdo demokrat, çdo ish koleg, që është i zhgënjyer nga çdo gjë, nga “Rilindja” “Republika e Re’ apo ‘Me qetësi dhe dashuri’.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb