Pas ngjarjes tragjike të ndodhur pak ditë më parë në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura humbën jetën si pasojë e mbytjes në det, eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka bërë thirrje për forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë ujore.
I ftuar në emisionin “Neës24 Fundjavë” me Megi Latifin, Softa theksoi se siguria në plazhe duhet të trajtohet me të njëjtën rëndësi si siguria rrugore apo ajrore.
“Siguria ujore është po aq e rëndësishme sa ajo rrugore dhe ajrore. Çdo sezon veror përballemi me ngjarje të tilla, të cilat sensibilizojnë opinionin për nevojën e marrjes së masave të forta të sigurisë,” u shpreh ai.
Sipas ekspertit, parandalimi nis nga infrastruktura bazë në plazhe, si prania e rojeve bregdetare, kullave të vrojtimit dhe sinjalistikës së qartë, por edhe nga edukimi i qytetarëve. Ai solli si shembull Greqinë, ku noti mësohet si pjesë e programit shkollor.
Softa theksoi se mbytjet nuk ndodhin vetëm për shkak të mungesës së aftësive në not, por edhe si pasojë e rrymave detare, gropave të paidentifikuara dhe mosrespektimit të sinjalistikës me flamujt paralajmërues.
“Duhet të njihet edhe kuptimi i flamujve të kuq dhe të verdhë, sepse ata janë elementë të rëndësishëm për sigurinë e pushuesve,” tha ai.
Eksperti shtoi se në rrezik nuk janë vetëm fëmijët, por edhe personat e moshës së tretë. Ai pranoi se situata në plazhe ka shënuar përmirësime me vendosjen e kullave të vrojtimit, por ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre.
Sipas Softës, zbatimi rigoroz i standardeve të sigurisë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbeten faktorët kyç për të shmangur tragjedi të ngjashme gjatë sezonit turistik.
