Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Valdrin Pjetri, ka dhënë detaje mbi procesin e trajtimit të dosjeve të pronave dhe kompensimit të subjekteve të shpronësuara. Në një intervistë për emisionin “Vila 24” në News24, me moderatore Valbona Mëhilli, Pjetri tha se një nga problematikat kryesore që haset gjatë shqyrtimit të dosjeve lidhet me dokumentacionin dhe mungesën e firmave të trashëgimtarëve.
Sipas tij, aktualisht po trajtohet edhe “brezi i tretë” i subjekteve, ku procedurat vështirësohen për shkak të nevojës për të siguruar firmat e familjarëve të tjerë. Krahas kësaj, në dosje evidentohen edhe probleme që lidhen me hartografinë. Sa i përket kompensimit, drejtori i ATP-së shpjegoi se institucioni ofron si kompensim fizik, ashtu edhe financiar. Sipas tij, kur kompensimi fizik është i pamundur, procedura kalon në kompensim financiar. Pjetri tha se kompensimi financiar bëhet menjëherë pasi qytetari merr vendimin përkatës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, duke theksuar se pas përfundimit të procedurës qytetari nuk ka më nevojë të rikthehet në institucion për të njëjtën çështje.
Drejtori i ATP-së njoftoi gjithashtu se institucioni do të publikojë periodikisht rezultatet e punës. Sipas tij, çdo datë 30 do të ketë një kalendar pune dhe në fund të çdo muaji qytetarët do të informohen për rezultatet konkrete, përmes faqes së internetit dhe rrjeteve sociale të institucionit. Aktualisht, Agjencia ka rreth 6 mijë dosje për t’u shqyrtuar, ndërsa Pjetri bëri të ditur se rreth 1800 dosje janë në proces përpunimi. Pjetri bëri me dije se në muajin tetor pritet të bëhet shpërndarja e fondeve për pronarët e prekur nga ndërtimet informale. Për këtë proces, ai tha se ATP ka mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për likuidimin e subjekteve që plotësojnë kushtet për kompensim.
Në fund, drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, në përputhje me njoftimet e publikuara nga institucioni.
“Ne po trajtojmë brezin e tretë që është në moshë 75-80, dhe mezi arrijnë të marrin firma nga familjarët e tjerë. Po ashhtu konstatohen dhe probleme hartografike. Dosjet janë rast pas rasti. Mungon marrja e firmave, dëshmia e trashëgimisë, ky është problemi i parë. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kompensim fizik dhe financiar. Financiari është i menjëhershëm. Kur një qytetar i një subjekti të shpronësuar merr vendim nga Trajtimi i Pronave, ai ka mbaruar punë, dhe nuk ka pse të kthehet më te ne. Sot qytetarët janë të prirur të kompensimi financiar. Kur është e pamundur kompensimi fizik, Agjencia kalon te kompensimi financiar. Ne bëjmë plan punë dhe çdo datë 30 ATP do të ketë një kalendar pune, për të treguar punën e kryer. Në çdo fund muaji, në web, në instagram apo FB ne do të dalim me rezultate konkrete për punën. Qytetari ka mundësi që të pyesë fizikisht ditët e mërkura për dosjen e tij ose me shkresë, drejtuar institucionit tonë. Kemi 6 mijë dosje në total për të shqyrtuar. 1800 janë duke u përpunuar përditë. Analizën e parë të punës do ta bëjmë pas 6 muajsh. Në vitin 2027 do të quhen të trajtuara dosjet në proces shqyrtimi. Ndërsa kompensimi është proces i vazhdueshëm. Në tetor do të bëjmë shpërndarjen e fondeve për ata pronarë që janë prekur nga ndërtimet informale. Kemi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Financave për të bërë likuidimin e subjekteve që duhet të kompensohen. Ne bëjmë mesazhin; vijoni plotësimin e dokumentacioneve në bazë të njoftimeve të bëra nga institucioni ynë”, tha ai.
