Një lëvizje surprizë në momentet e fundit të merkatos për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, i cili i bashkohet kolonisë të shqiptarëve të tjerë që luajnë në kampionatin turk.

Muçi është transferuar zyrtarisht te Besiktas. Bardhezinjtë e Stambollit do të paguajnë plot 10 milionë euro për të marrë shërbimet 22-vjeçarit. Nga ky transferim do të përfitojë 1 milion euro klubi i Tiranës, që zotëron 10% të kartonit të Muçit. Sipas marrëveshjes së realizuar në vitin 2021.

Ndërkohë që 9 milionë euro do të përfundojnë në arkat e polakëve të Legias. Presidenti i Besiktasi, Hasan Arat, ka udhëtuar gjatë ditës së enjte drejt Varshavës me avion privat për të marrë futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë.

Gjest që tregon vlerësimin maksimal të tij për Muçin. Sulmuesi nga Tirana do të përfitojë një pagë 1.8 milionë euro neto në sezon, teksa kanë mbetur për t’u mbyllur detajet e fundit të marrëveshjes.

Mësohet se Muçi do të firmosë një kontratë që do e mbajë të lidhur me Besiktas për tre sezone e gjysmë, pra deri në 2027. Gjatë aventurës në Poloni, lojtari i kombëtares shqiptare ka shënuar 21 gola, duke spikatur me Legian e duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të ndryshme.

Data 9 shkurt shënon fundin e merkatos në Turqi dhe Muçi do të jetë dhurata e madhe për tifozët e Besiktas, klub që ka fituar 16 tituj kampion, 10 Kupa dhe 9 Superkupa Turqie.

Bardhezinjtë drejtohen nga portugezi Fernando Santos, ndërkohë që Muçi do të bëhet shok skuadre me Milot Rashicën, por dhe me emra të njohur si Aboubakar, Rebic dhe Tosun.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb