Programi i “Transportit Hekurudhor” kishte 4.1 miliardë lekë shpenzime vitin e shkuar, apo rreth 40 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se plani i përgjithshëm i shpenzimeve ishte sa 90% e planit fillestar. “Plani vjetor, për shpenzimet korrente në vlerën 515 mln lekë, realizimi financiar vjetor në vlerën 503 mln lekë, ose 97.6%. Plani vjetor, për shpenzimet kapitale me financim të brendshëm, në vlerën 860 mln lekë, realizimi financiar vjetor në vlerën 815 mln lekë ose 94.8%.

Plani vjetor, për shpenzimet kapitale me financim të huaj, në vlerën 3,2 mld lekë, realizimi financiar në vlerën 2,8 mld lekë 88.1%” thuhet në dokument. Sa u takon projekteve të financuara, duket se shumica e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për investimin që po kryhet në rehabilitimin e Tiranë-Durrës dhe shtesës së re të hekurudhës në Rinas. Fondet që kanë shkuar për këtë projekt janë sa 60% e totalit dhe janë të klasifikuara si investime me fonde të huaja.

“Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranës–Rina 1, planifikuar për vitin 2023 në shumën 1,78 mld lekë dhe është realizuar investimi në vlerën 1.35 mld lekë lekë ose në masën 75%.

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranës-Rinas2, planifikuar investime për vitin 2023 në vlerën 1.25 mld lekë dhe është realizuar financimi në vlerën 1.15 mld lekë ose në masën 92%. Supervizioni i punimeve “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore për në Aeroportin e Rinasit”, planifikuar për vitin 2023 në vlerën 75,000,000 lekë dhe është financuar në vlerën 45,000,000 lekë ose në masën 60%” thuhet në përmbledhjen e raportit të buxhetit.

Një tjetër projekt që është financuar nga fondet e huaja është ai për hartimin e projektit paraprak Rrogozhinë – Pogradec – Lin (Kufi me Maqedoninë e Veriut) planifikuar për vitin 2023 në vlerën 81.6 mln lekë dhe është realizuar financimi në vlerën 52.4 mln lekë ose në masën 64.3%. Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë filluar në nëntor 2021 kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra. Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.

Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re. Sa u takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.

Në fillim të marsit Hekurudha Shqiptare njoftoi mbi hapjen e procedurës për ndërtimin e stacioneve përgjatë linjës së re që po ndërtohet dhe që në disa dalje nga ana e përfaqësuesve të qeverisë është deklaruar se do të përfundojë brenda këtij viti./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb