Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato, dhe Ambasadorin gjerman, Karl Bergner, prezantuan sot projektin “Transporti i Gjelbër në Tiranë”, një risi që synon zhvillimin, projektimin, zbatimin dhe vënien në funksionim të sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë (“e-BRT”) në kryeqytet. Ky projekt, i cili fillimisht do të zbatohet në tre nga linjat kryesore të transportit: Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio, shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në Tiranë.

Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Gjermane dhe Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana do të jetë qyteti i parë në Ballkan, që zbaton këtë linjë transporti, e cila do të jetë bashkëkohore, europiane, me të gjitha lehtësirat e nevojshme për qytetarët.

“Ky projekt do të transformojë tre linja kryesore në qytet, duke i bërë shumë herë më të shpejta; pra, nga 9 dhe 9.5 km në orë do të shkojmë në 20 km/orë. Do të kemi një hov të jashtëzakonshëm për sa i përket transportit publik në Tiranë. Sot jemi në një situatë ku do të fillojmë me tre akset kryesore, brenda këtij viti: Aksi i parë është Kinostudio-Kombinat; i dyti Tirana e Re; aksi i tretë është Unaza. Nëse një xhiro e plotë në Unazë sot bëhet për 54 minuta, me linjën e re urbane do të bëhet për 27 minuta. Sigurisht, do ia vlejë më shumë autobusi se sa një makinë private për të përshkuar Unazën”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se fakti që Tirana po zbaton projekte të tilla është se është e shpejtë, e saktë dhe efiçente. “Sapo kemi mbaruar Terminalin Lindor në pjesën juglindore të Tiranës dhe kemi filluar punën për Terminali Perëndimor, te Kthesa e Kamzës. Gjysma tjetër e hapësirës te Terminali Perëndimor është një tjetër investim i Bashkimit Evropian. Ky financim do të sjellë hekurudhën, e cila do të vijë tek terminali perëndimor. Kurse në Bulevardin e Ri të Tiranës do hyjë vetëm ai që quhet “treni i lehtë”, i cili sillet si tren për të vajtur në Rinas e Durrës, por në momentin që kalon kthesën e Kasharit dhe hyn tek terminali në Tiranë, për të ardhur deri te Bulevardi i Ri, do sillet si tramvaj; pra, ka shpejtësi më të ulët dhe “shkrihet” me realitetin urban, duke shërbyer vetëm si një stacion qytetas. Do të doja shumë që këto projekte të përfshihen gjithashtu, dhe të përshtatemi në financimin dhe projektin që kemi për autobusët e shpejtë. Në momentin që i kemi të gjitha nyjet e kompletuara, atëherë vërtet mund të themi se kemi bërë diferencën për transportin publik në Tiranë”, tha kreu i Bashkisë.

Veliaj shtoi se Tirana është një nga qytetet më të shëndetshme në krahasim me qytetet e tjera të Ballkanit, falë investimeve në korsitë e biçikletave, duke bërë kështu që shumë banorë të shmangin përdorimin e makinave. “Ne jemi e vetmja bashki sot në rajon që studentët e kanë abonenë 100% falas. Bashkë me kolegët e Bashkimit Europian dhe të GIZ-it bëmë korsitë e biçikletave. Falë asaj pune, që u bë gjatë Covid-it, e shfrytëzuam për të shtrirë një rrjet me 58 km të korsive të biçikletave. Sot jemi në një situatë ku me inkurajimin e ecjes, ne kemi 51% të qytetarëve që ecin në qytet, që është një arritje e jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato tha BE do të qëndrojë në krah të Bashkisë në mënyrë që qyteti i Tiranës të përmbushë reformën e saj për t’u shndërruar në një qytet të gjelbër.

“Bashkimi Evropian është shumë krenar që bashkon forcat me Gjermaninë dhe Bashkinë e Tiranës për të ndërtuar rrjetin e ardhshëm të një transporti elektrik me autobus me zero emetime për Tiranën. Falë rrjetit të ri elektrik të autobusëve, sistemi i transportit publik do të jetë më i shpejtë, më i pastër, më tërheqës për qytetarët dhe për rrjedhojë do të ndihmojë në uljen e numrit të makinave në qytet. Ne vlerësojmë se projekti do të kontribuojë ndjeshëm në dekarbonizimin e qytetit dhe uljen e emetimeve të dëmshme, duke çuar në ajër më të pastër për të mirën e banorëve të Tiranës”, tha gjatë fjalës së tij ambasadori i BE-së Gonzato.

Nga ana e tij, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner u shpreh se qytetarët e Tiranës do përfitojnë dhe do të kenë një transport më të shpejtë dhe një mjedis më të pastër.

“Jemi të lumtur të mbështesim qytetin për një hap të mëtejshëm duke i dhënë mundësinë e autobusëve elektrikë të linjave të shpejta, sikundër kryetari Veliaj dhe z. Gonzato e kanë thënë dhe përfshirë në këtë projekt. Tre nga linjat më kryesore do kalojnë në transportin e shpejtë duke dyfishuar shpejtësinë e transportit dhe 145 ndalesat e autobusëve do modernizohen sipas standardeve evropiane. Qytetarët e Tiranës do përfitojnë nga një transport më i shpejtë dhe një mjedis më i pastër. Skuadra gjermane me skuadrën evropiane të BE do punojnë sëbashku dhe dua t’i falënderoj të gjithë që e kanë mundësuar”, tha ambasadori gjerman.

Qëllimi i projektit nuk është vetëm të përmirësojë ofrimin e shërbimeve në transportin publik, por edhe të reduktojë emetimet e dioksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë, duke kontribuar kështu në objektivat e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit. Sistemi i transportit të shpejtë të autobusëve elektrikë parashikohet të rrisë shpejtësinë mesatare të autobusëve në linjat e përzgjedhura nga 11 km/h në 19 km/h, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e transportit publik. Projekti pritet të parandalojë afërsisht 4.300 ton emetime CO2 në vit, si dhe të reduktojë emetimet e grimcave (PM) dhe oksidit të azotit me një mesatare prej 25,55 ton NOx dhe 0,18 ton PM në vit, duke kontribuar për një ajër më të pastër dhe përpjekje për mbrojtjen e klimës.

Sistemi elektrik i transportit të shpejtë të autobusëve do të zbatohet në 3 korridoret e mëposhtme:

Linja L15 – Lindje – Perëndim nga Kinostudio në Kombinat – 17 km duke marrë parasysh të dy drejtimet
L14- Unaza, vija rrethore – qendra e qytetit – Unaza e 3-të – 14 km duke marrë parasysh të dy drejtimet
L13 – Tirana e Re, vija rrethore – pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit – 21 km duke marrë parasysh të dy drejtimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: