Autoritetet braziliane kanë filluar të hetojnë rebelët pro Bolsonaros që sulmuan ndërtesat qeveritare ditën e djeshme.

Gjykata e Lartë e vendit ditën e djeshme shkarkoi guvernatorin e Brasilias, Ibaneis Rocha, nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë në kryeqytet, ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes urdhëroi gjithashtu platformat e mediave sociale Facebook, Tëitter dhe TikTok të bllokojnë propagandat e grushtit të shtetit.

Kjo vjen pasi mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, të cilët refuzojnë të pranojnë humbjen e tij zgjedhore, sulmuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial në Brasilia, vetëm një javë pas inaugurimit të Silvës.

Mijëra demonstrues anashkaluan barrikadat e sigurisë, u ngjitën në çati, thyen xhamat dhe pushtuan të tre ndërtesa. Disa prej demostruesëve po bëjnë thirrje për një ndërhyrje ushtarake për të rikthyer në pushtet Bolsonaro-n e ekstremit të djathtë.

Trazirat janë krahasuar edhe me pushtimin e Kapitolit të SHBA-së më 6 janar 2021, diçka që shumë analistë politikë e kanë paralajmëruar prej muajsh. Por në këtë rast, ka të ngjarë që Kongresi dhe Gjykata e Lartë të kenë personel të kufizuar brenda ndërtesave të dielën.

Mbështetësit e Bolsonaros kanë protestuar kundër fitores elektorale të Lulës që nga 30 tetori, duke bllokuar rrugët, duke i djegur automjetet dhe duke u mbledhur jashtë ndërtesave ushtarake, duke u kërkuar forcave të armatosura të ndërhyjnë.

Ish-presidenti përballet me rreziqe ligjore nga disa hetime para Gjykatës së Lartë në Brazil, ku humbja e imunitetit politik e lë atë më të ekspozuar ndaj hetimeve kriminale dhe elektorale që mund të çojnë në arrestimin e tij ose ta pengojnë atë të kandidojë për postin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb