Tre deputetë francezë të Parlamentit Europian, kanë dorëzuar një mocion për rezolutë që kërkon ndërprerjen e menjëhershme të negociatave mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Mocioni është dorëzuar në datën 20 Janar 2015, nga Dominique Bilde dhe Steeve Briois deputetë të Parlamentit Europian dhe Sophie Montel, anëtare, të tre shtetas francezë dhe pjesë e partisë nacionaliste “Front National” me president Marine Le Pen dhe sekretar të përgjithshëm Steeve Briois.

Tre deputetët francezë të së djathtës ekstreme thonë se shkak i këtij qëndrimi të tyre janë gjendja sociale dhe ekonomike në Europë.

Mocioni është formuluar në bazë të rregullit nr.133, të rregullores së punës të Bashkimit Europian, duke patur parasysh vendimin e Këshillit mbi parimet, prioritetet dhe kushtet e përmbajtura në Partneritetin Evropian me Shqipërinë dhe komunikatën me titull ‘Strategjia e Zgjerimit dhe Sfidat Kryesore 2011-2012’ nga Komisioni për PE”.

Në të përcaktohet me katër pika arsyet e kërkesës të ndërprerjes së negociatave mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ato theksojnë se Shqipëria i ka marrë tashmë rreth 600 milionë euro fonde për periudhat 2000-2006 dhe 2006-2010 dhe se ka aplikuar dhe është pranuar si vend kandidat e në një rast të mundshëm të hyrjes në BE, Shqipëria do ta kishte të pamundur përballimin e presionit të forcave të tregut dhe konkurrencën e tregut europian.

Gjithashtu në mocionin për rezolutë thuhet se Shqipëria vuan nga probleme serioze të korrupsionit dhe është një qendër e trafikimeve të ndryshme si droga dhe prostitucioni.

Nga mocioni kërkohet që për çdo pranim të ri në Bashkimin Europian të zhvillohet referendum në secilin shtet që është aktualisht anëtar; negociatat midis BE dhe Shqipërisë të ndalen menjëherë dhe udhëzon Presidentin e saj ti përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit dhe shteteve anëtare. Ata kundërshtojnë në mënyrë të ngjashme edhe procesin e anëtarësimit të Turqisë e Malit të Zi.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: