Qeveria vendos të mos aplikojë as për nëntorin fashën prej 800 kilovatësh, e paralajmëruar që prej shtatorit nga kryeministri Edi Rama. Vendimi vjen tre ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar nga opozita më 12 nëntor.

Kjo është hera e dytë që shtyhet rritja e çmimit të energjisë, sërish me arsyetimin e kursimit të saj nga konsumatorët shqiptarë dhe reshjet. Por teksa herën e parë u tha se fasha u shty për shkak të shirave bujarë dhe kursimit, tashmë qeveria deklaron se përveç kursimit, parashikimet e motit flasin për reshje në vijim si dhe ka rënie në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë.

“Qeveria Shqiptare po mbron të gjithë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nga goditja e çmimit stratosferik të energjisë⚡️?
Shifrat e kursimit të energjisë për muajin tetor janë domethënëse dhe na japin mundësinë që fashën prej 800 kilovatësh të mos e aplikojmë as për muajin nëntor, duke konsideruar gjithashtu parashikimet e motit me reshje në vijim, si edhe një rënie të caktuar në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë?
Vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate, ne mund dhe do ta përballojmë edhe këtë sfidë, ku THEMELOR MBETET KURSIMI?”, shkroi kryeministri Edi Rama.

Teksa ishte zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e cila njoftoi se qeveria nuk do ta aplikojë edhe gjatë muajit nëntor fashën e energjisë prej 800 kilovatësh.

“Qeveria shqiptare po mbron të gjithë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nga goditja e çmimit stratosferik të energjisë. Shifrat e kursimit të energjisë për muajin tetor janë domethënëse dhe na japin mundësinë që fashën prej 800 kilovatësh të mos e aplikojmë as për muajin nëntor, duke konsideruar gjithashtu parashikimet e motit me reshje në vijim, si edhe një rënie të caktuar në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë”, tha ajo.

Sipas Ballukut, vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate mund dhe do të përballohet edhe kjo sfidë.

“Themelor mbetet kursimi. Të gjitha shifrat tregojnë se konsumi i energjisë është 7 % më pak”, deklaroi Balluku.

Balluku theksoi se Qeveria po shikon mundësinë e mbështetjes edhe për biznesin e madh i cili tashmë ndodhet në tregun e lirë, por që po has vështirësi për gjetjen e e sasisë së energjisë së nevojshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb