Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar sipas tij një rast të mundshëm të manipulimit zgjedhor në fshatin Pekisht të Elbasanit. Berisha tha se ka qenë kandidati për deputet Blendi Himçi ai i cili ka siguruar informacionin dhe më pas janë gjetur materiale zgjedhore.

Berisha ka deklaruar se Himçi ka vizituar barin në mëngjes herët dhe ka gjetur fletë dhe lista votimi që “flinin” prej disa netësh, si dhe karta identiteti dhe sasi të konsiderueshme eurosh. Berisha tha se pronari i lokalit është kryeplaku i fshatit, Dervish Beqiri, i cili sipas tij është vëzhgues i PS.

 

“‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.

Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.

Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush. Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.

Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, tha ai.

Ky denoncim vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka ngritur shqetësime të tjera për mundësinë e manipulimeve zgjedhore dhe përdorimin e parave të paligjshme në fushatat elektorale.

Berisha ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe përdorimin e parave të drogës për të ndikuar në zgjedhje.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb