Manchester United siguron fitoren e parë të sezonit, në një mbrëmje spektakolare në “Old Trafford”. “Djajtë e Kuq” përmbysën Ipswich Town me rezultatin 5-2, me Bruno Fernandes që ishte protagonisti absolut i sfidës.

Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 29-të me Davis, duke shtuar presionin mbi skuadrën e Carrick. Por pak para pushimit, Bruno Fernandes barazoi rezultatin dhe riktheu Unitedin në lojë.

Në pjesën e dytë, vendasit kompletuan përmbysjen. Në minutën e 56-të, një devijim i Greaves përfundoi në portën e tij, ndërsa katër minuta më vonë Fernandes realizoi nga pika e bardhë për 3-1.

Kapiteni portugez ishte sërish protagonist në minutën e 68-të, kur shënoi golin e tretë personal dhe të katërtin për Unitedin, duke kompletuar tripletën.

Në fund, Mbeumo vulosi fitoren me golin e 5-1, ndërsa Akpom shënoi në minutën e 91-të për rezultatin përfundimtar 5-2.

Carrick ishte i kënaqur me mënyrën se si United reagoi pas humbjes zhgënjyese 2-0 ndaj Hull javën e kaluar.

“Ky është futbolli, apo jo? Ka ulje dhe ngritje,” tha trajneri. “Gjëja që na kënaqi më shumë ishte ajo për të cilën folëm gjatë javës: nëse dëshiron të jesh një skuadër e suksesshme, duhet të dish të përballosh pengesat. Çdo skuadër mund të humbasë. Duhet të dish të reagosh ndaj vështirësive, qoftë kur humbet ritmin gjatë një ndeshjeje, pëson një gol, humbet një ndeshje apo edhe një seri ndeshjesh. Sido që të jetë situata, duhet të dish ta përballosh atë pengesë.”, theksoi Carrick.

Falë këtij suksesi Manchester United merr kështu tre pikët e para të sezonit, ndërsa Ipswich mbetet në kuotën e 3 pikëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: