Paolo Liuzzo, ish-partneri i Princeshës Beatrix të Mbretërisë së Bashkuar, u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Miami shkurtin e kaluar.

Sipas “The Sun”, e cila raportoi e para dje lajmin, autoritetet vendase besojnë se vdekja e 41-vjeçarit ka ardhur si pasojë e mbidozës së drogës , megjithatë hetimet për ngjarjen janë ende të hapura dhe në vazhdim.

Siç raporton gazeta britanike, Liuzzo, i cili e ka “marrë” me vajzën e Princit Andrew kur ai ishte 23 vjeç dhe ajo vetëm 17, kishte qenë duke u marrë me një problem varësie ndaj drogës dhe lojërave të fatit vitet e fundit dhe ishte në borxh.

Oficeri i policisë amerikane Michael Vega, i cili foli për Sun, nuk pranoi të zbulonte detaje rreth rrethanave të vdekjes së burrit që dha frymën e fundit në një dhomë në hotelin Miami Worldcenter në orën 03:34 të pasdites më 7 shkurt. Certifikata e tij e vdekjes thotë se Liuzzo punonte si konsulent arti dhe nuk ishte martuar kurrë. Ai kishte deklaruar si vendbanim një apartament pranë hotelit.

Trupi i Liuzzo u dërgua në vendlindjen e tij në Long Island, Nju Jork, dhe funerali i tij u mbajt më 16 shkurt.

Duke folur në mënyrë anonime për gazetën, një mik i 41-vjeçarit tregoi se shumë njerëz në rrethin e tij kishin frikë se ai do ta kishte këtë fat. “Ai nuk po shkonte mirë në planin personal. Atij i pëlqente të mburrej dhe të luante bixhoz. Ai filloi me farmaceutikë, por më pas iu drejtua kokainës dhe drogave të tjera të forta. Të gjithë kishim frikë se një ditë ai do të paguante për stilin e jetesës që kishte zgjedhur. Ai vazhdimisht merrte para hua për të shlyer borxhet. Ishte në një rreth vicioz”.

Liuzzo filloi të takohej me Beatrice, e cila është gjashtë vjet më e vogël se ai, në vitin 2005, por dyshja e mbajtën të fshehtë lidhjen e tyre deri vitin e ardhshëm, kur i riu mori familjen e të dashurës së tij në një udhëtim skijimi në Zvicër. Katër vjet më parë Liuzzo ishte dënuar (pas një marrëveshjeje jashtë gjykatës me autoritetet) me 100 orë shërbim në komunitet për përfshirjen e tij në një rrahje që rezultoi në vdekjen e një studenti në Massachusetts. Pavarësisht të kaluarës së tij, nëna e Beatrice, Sarah Ferguson, mbështeti zgjedhjen e vajzës së saj duke thënë se secili ka rrugën e tij dhe mëson nga gabimet e tij. “Beatrice është një vajzë e ndjeshme, ajo do të rritet së shpejti dhe ka shumë miq, duke përfshirë Paolo ”, tha Fergie në atë kohë.

Megjithatë, publiciteti që mori prania e tij në udhëtim, bëri që ai të urdhërohej të kthehej urgjentisht në SHBA, pasi udhëtimet rekreative jashtë vendit ishin të ndaluara sipas kushteve të pezullimit të tij. Pezullimi prej tre vitesh i dënimit të tij me burg u zgjat edhe për gjashtë muaj të tjerë dhe Beatrice i dha fund lidhjes së tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pas ndarjes, Liuzzo tha se familja e Beatrice e kishte mbajtur të fshehtë lidhjen e tyre për të mbrojtur imazhin e familjes, ndërsa ai “gozhdoi” princeshën dhe motrën e saj që kishin shkuar në një festë në Xhamajka ku njerëzit pinin duhan.

Në lidhje me marrëdhënien e tij me Beatrice-n, ai më vonë deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse donte ta merrte seriozisht gjithsesi, pasi e donte por “nuk ishte i dashuruar”. “Ndonjëherë të dashurat vinin të më shihnin në banesën time në Londër. Ne thjesht po ngatërroheshim, kurrë nuk bëmë asgjë më shumë, por më pas u ndjeva keq për shkak të Beatrice-it”, kishte thënë Liuzzo, duke pranuar se femrat janë një nga dobësitë e tij.

Në shtator 2009, kur ai ishte 27 vjeç, Liuzzo u arrestua në Gold Coast të Australisë për përplasjen e Audi-t me qira që po ngiste në një semafor. Ai gjithashtu kishte refuzuar të paguante për akomodimin dhe ushqimin e tij në një hotel kazino. I riu u deklarua fajtor për shkelje të Kodit të Procedurës Penale, mashtrim dhe posedim të kokainës dhe “iku” sërish vetëm me gjobë. Në vitet në vijim, ai u përball edhe disa herë me autoritetet në Florida për shkak të shkeljeve të trafikut që kreu.

Beatrice, tani 35 vjeç, e cila është e martuar me Edoardo Mapelli Mozzi dhe kanë një fëmijë së bashku, mësoi për vdekjen e të dashurit të saj të parë menjëherë pasi nëna e saj u diagnostikua me kancer në lëkurë, sipas Sun.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb