Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me shpërthimin e tritolit në një servis telefonash në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në rrugën ‘Thoma Koxhaj’. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se dyqani është në pronësi të Olsi Isufit.

Ky i fundit, ka pohuar se pasi ka rënë alarmi në dyqan ka kuptuar se diçka ka ndodhur në biznesin e tij. Ai mësohet se ka shkuar në mesnatë në polici ku ka dhënë detaje rreth ngjarjes, ndërsa ka pohuar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk dyshon te asnjë njeri.

Dyqani është i pajisur me kamera sigurie dhe ka filmuar gjithë momentin, si dhe autorin e ngjarjes. Gazetarja Bezat në një lidhje live për ‘News24’ tha se kamerat e sigurisë së dyqanit kanë kapur vetëm një person, i cili ka qenë i veshur me një xhup të zi dhe kapuç, por nuk shquhet mirë fytyra e tij. Po ashtu ajo tha se për shpërthimin janë përdorur rreth 50 gr tritol, të cilat kanë shkaktuar disa dëme materiale.

Aktualisht policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb