Polonia është tronditur nga zbulimet rreth 43-vjeçarit Michael P., i cili akuzohet për vrasjen e të paktën shtatë grave. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të jetë edhe më i madh.
Sipas hetimeve, Michael P. punonte si hidraulik dhe përdorte profesionin e tij për të hyrë në banesat e grave të pambrojtura. Më pas, ai dyshohet se kthehej në shtëpitë e tyre, i lidhte dhe i kërcënonte viktimat, duke i detyruar të tregonin se ku mbanin paratë dhe sendet me vlerë.
43-vjeçari u arrestua në shkurt të vitit 2025, pasi një punonjës i një qendre telefonike bankare dëgjoi përmes telefonit një grua që po sulmohej gjatë kohës që kishte telefonuar bankën për ndihmë.
Policia mbërriti në banesën e gruas dhe e gjeti Michael P. poshtë ballkonit. Sipas hetuesve, ai ishte nën ndikimin e drogës dhe kishte probleme të rënda me varësinë nga bixhozi.
Në telefonin e tij u gjetën rreth 75 mijë fotografi, disa prej të cilave dyshohet se lidhen me viktimat.
Policia gjeti gjithashtu në çantën e tij doreza, shirit elektrik dhe materiale të tjera që dyshohet se i përdorte për të lidhur viktimat.
Sipas hetimeve, pasi merrte informacionin që kërkonte, ai dyshohet se i vriste gratë duke i mbytur, ndërsa ato ishin të lidhura në karrige.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar edhe dy shtetas ukrainas, të dyshuar si bashkëpunëtorë të 43-vjeçarit në disa prej rasteve.
Njëri prej tyre, 33-vjeçari Taras H., ka pranuar pjesëmarrjen, por pretendon se qëllimi i tij ishte grabitja dhe jo vrasja.
I dyshuari tjetër, Ihor H., i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, mohon çdo përfshirje në krimet për të cilat po hetohet.
Hetuesit po vijojnë të analizojnë provat e sekuestruara dhe nuk përjashtojnë mundësinë që Michael P. të jetë përgjegjës për raste të tjera vrasjesh.
