Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi emërimin e James McDonald si kandidat për postin e prokurorit federal të Southern District of New York, një nga pozicionet më të rëndësishme në sistemin amerikan të drejtësisë.
Zyra e prokurorit federal në Manhattan konsiderohet ndër më të fuqishmet në vend, duke pasur kompetenca të gjera në hetimin e krimeve financiare, korrupsionit, terrorizmit dhe çështjeve të profilit të lartë.
Kjo zyrë gëzon gjithashtu një shkallë të konsiderueshme pavarësie nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA, krahasuar me prokuroritë e tjera federale.
“Jam i bindur se Jamie do të arrijë rezultate të rëndësishme për vendin tonë si Prokurori i ardhshëm i SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut,” shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social, duke vlerësuar reputacionin e McDonald në komunitetin ligjor dhe tek institucionet e zbatimit të ligjit.
Nëse emërimi i tij miratohet nga Senati i SHBA-së, McDonald do të zëvendësojë Jay Clayton.
Sipas njoftimit të Trump, Clayton është përzgjedhur për postin e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, pas largimit nga detyra të Tulsi Gabbard.
Emërimi vjen në një moment kur administrata amerikane po bën ndryshime në disa prej pozicioneve kyçe të sigurisë dhe drejtësisë, ndërsa fokusi mbetet te lufta kundër krimit financiar, korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: