Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një valë sulmesh ruse në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave, të cilat raportojnë për dëme të shumta në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në disa rajone të vendit.

Në qytetin e Dnipros, një 59-vjeçar humbi jetën dhe tre persona të tjerë u plagosën pas sulmeve që goditën ndërtesa banimi, një institucion arsimor dhe objekte të infrastrukturës.

Ndërkohë, në kryeqytetin Kiev, dy persona u vranë pasi dronët rusë goditën ndërtesa banimi gjatë natës. Të paktën 11 persona të tjerë mbetën të plagosur nga sulmet në zona të ndryshme të qytetit.

Situata është e rëndë edhe në rajonin e Kharkivit, ku ekipet e shpëtimit nxorën trupat e tre personave nga rrënojat e një ndërtese banimi të shkatërruar nga një sulm me raketa ruse.

Sipas autoriteteve, të paktën 15 persona u plagosën në këtë rajon, mes tyre edhe një punonjës i ekipeve të shpëtimit.

Gjatë natës, sulmet goditën gjithashtu dy ndërtesa banimi dhe tezga tregu, duke shkaktuar disa vatra zjarri në qytetin e Izyumit. Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar flakët dhe për të kontrolluar dëmet.

Sulme me dronë u raportuan edhe në rajonin perëndimor të Lvivit. Në fshatin Murovane, disa ndërtesa dhe automjete u përfshinë nga flakët pas një sulmi.

Sipas Shërbimeve Shtetërore të Emergjencave, zjarri u përhap në një sipërfaqe prej rreth 350 metrash katrorë, ndërsa zjarrfikësit vijuan punën për vënien e tij nën kontroll.

Sulmet e fundit kanë shkaktuar viktima dhe dëme në disa zona të Ukrainës, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndërhyrjet në zonat e prekura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb