Parlamenti Evropian ka reaguar ndaj paralajmërimit të Donald Trump për të vendosur tarifa prej 25% mbi makinat që importohen nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si një hap “të papranueshëm”.
Kryetari i Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, deklaroi se Uashingtoni po shfaqet si një partner “i pabesueshëm” në marrëdhëniet tregtare transatlantike.
“Parlamenti Evropian vazhdon të respektojë marrëveshjen e nënshkruar në Skoci dhe po punon për finalizimin e legjislacionit përkatës. Ndërkohë, pala amerikane vijon të mos i përmbushë angazhimet e saj,” theksoi Lange në një reagim në rrjetin social X.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet të ruajë “qartësinë dhe vendosmërinë” përballë këtyre zhvillimeve, ndërsa kritikoi ashpër politikën tregtare të SHBA-së.
