TIRANË- Komisioneri evropian për zgjerimin Johannes Hahn e ka quajtur një tryezë fantastike, mbledhjen me kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama dhe ambasadoren e BE Romana Vlahutin.

Në nisjen e procesit analitik, Hahn tha se ky është hapi i parë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Ai tha se qëllimi i unionit është zgjerimi, që përkthehet në stabilitet dhe siguri për Europën. Por nuk ka munguar një këshillë e komisionerit evropian për ministrat. Ai i ka porositur të kenë një staf të mjaftueshëm dhe me përvojë që të negociojë me BE-në.

“Nuk jam ulur ndonjëherë përreth një tryeze fantastike si kjo. Shpresoj që të jetë një model. Duhet parë si një mundësi përt të diskutuar për zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BE-së. Kryeministri iu referua disa detyrave dhe sfidave por është e rëndësishme të ndajmë se cilat janë hapat para nesh.
BE dhe shtetet anëtare kanë theksuar në mënyrë të qartë angazhimin e fortë ndaj politikës së zgjerimit. Ne ose do të eksportojmë si union stabilitet ose do të importojmë instabilitet. Zgjerimi vijon të përbëjë një zhvillim strategjik për sigurinë dhe stabilitetin në Europë.
Jemi gati partnerë biznesi kur bëhet fjalë për këtë lloj investimi. Prania ime në Tiranë tregon fillimin e procesit analitik. Ky është hapi i parë.
Në çdo ministri të linjës do tu duhet një personel i mjaftueshëm me përvojë i cili të negociojë me ne sepse është diçka që nuk mund t’i lini vetëm ministrisë së jashtme apo kryeministrisë por duhet të punoni të gjithë dhe të negocioni me ne”, deklaroi Hahn.

Nuk munguan kritikat ndaj opozitës, për ligjin për Shkollën e Magjistraturës. Komisioneri për zgjerimin tha se nga procesi i vettingut mund ta lërë vendin pa gjykatës të aftë për pozicione të caktuara, ndaj kjo shkollë duhet të miratohet në Kuvend.

Ai shprehu habi dhe në faktin se për magjistratët duhen një shumicë e cilësuar votash, 84, vota të cilat opozita nuk i jep.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb