Pas pesë muajsh tensione dhe kaos në Kuvend duket se ka “tym të bardhë” sa i takon bllokimit të jetës parlamentare në Kuvend.

I ftuar në rubrikën “Opinion” ne News24, gazetari Osman Stafa, ka deklaruar se sipas burimeve mes mazhorancës dhe opozitës ka negociata sa i përket situatës në Kuvend, pra për t’i dhënë zgjidhje situatës kaotike dhe punimet të vijojnë punën normalisht.

Ai ka shtuar se duket se ka një nxitje nga ndërkombëtarët, të cilët janë të interesuar që të dy palët të gjejnë një zgjidhje dhe jeta parlamentare të kthehet në normalitet.

“Përgjatë 5 muajve dhunë dhe kolegët e mi kemi raportuar për situatën kaotike në Kuvend ku prej 5 tetorit është bllokuar jeta parlamentare në Kuvend dhe në komisione.

Përgjatë këtyre muajve është tentuar bllokimi por mazhoranca ka vijuar kalimin e projektligjeve pa debat. Shembull është ligji për rikthimin e basteve.

Situata aktuale është e tillë që sipas burimeve të mia ka negociata mes palëve për të dalë nga kjo situatë e për të rikthyer normalitetin në Parlament.

Negociatat janë mes mazhorancës dhe opozitës, e mbështetur edhe nga deklarata e ministres Spiropali që tha sot në seancë ‘jemi shumë afër që të gjejmë zgjidhje për këtë absurditet’.

Negociatat janë duke vijuar, nuk mund të japim emrat e negociatorëve, por qëllimi është të dilet në këtë situatë, mbetet për t’u parë forma.

Nuk duhet harruar roli i faktorit ndërkombëtar që kërkojnë zgjidhjen e situatës, dhe ky faktor ka edhe rolin e tij në këtë proces”, ka deklaruar ai.

Prej disa muajsh opozita ka zhvilluar disa protesta , duke kundërshtuar përbërjen e Komisionit Zgjedhore, duke kërkuar që bashkëkryetar nga radhët e opozitës të jetë Oerd Bylykbashi, në vend të Enkelejd Alibeajt.

Një tjetër kërkesë e opozitës është ngritja e komisioneve hetimore parlamentare.
Teksa kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, opozita ka bllokuar punimet në kuvend dhe deputetë nga radhët e saj janë përjashtuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb