Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur ditën e sotme vendimin lidhur me padinë e ngritur ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili akuzohej për veprën penale të shpifjes.

Sipas njoftimit zyrtar për mediat të lëshuar nga Gjykata, procesi gjyqësor kishte nisur pas kërkesës së paraqitur më datë 3 mars 2026 nga viktima akuzuese, shtetasi Anduel Çekrezi. Ky i fundit kërkonte gjykimin dhe shpalljen fajtor të deputetit Braçe, me pretendimin se kishte kryer veprën penale të “Shpifjes”, së kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 45 të datës 3 qershor 2026, ka vendosur rrëzimin e pretendimeve të paditësit.

Gykata vendosi:

-Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, e kryer botërisht.

-Shpenzimet gjyqësore të këtij procesi mbeten siç janë bërë.

***

Deputeti socialist u përfshi në një proces gjyqësor me biznesmenin Anduel Çekrezi, pas deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale lidhur me një konflikt pronësie në zonën e Imshtës, në Lushnje.

Në një komunikim për mediat teksa dilte nga seanca e GJKKO disa ditë më parë, Braçe tha se në gjithë historinë e tjetërsimit të pronave në favor të privatëve dikush duhet bërë shembull.

“Jo thirrje, besoj që jemi para një fakti penal shumë konkret. Mendoja se mjaftonte ligji i 2022 dhe  vendimi i këshilli të ministrave që përcakton që toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është shtetërore. Zotërinjtë në seancën që shkuan insistuan, kam depozituar sot pranë gjykatës, ligjet, bashkë me vendimet respektive ë këshillit të Ministrave që përcaktojnë që toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është tokë  lumit, tokë e shtetit dhe as nuk mund të tjetërsohet dhe as parashkruhet”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb