Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka liruar tre punonjësit e administratës së zonave të mbrojtura të Shkodrës Refik Zagani, Vesel Tusha dhe Palë Keçi të arrestuar nga policia e Shkodrës në 17 dhjetor në kuadër të operacionit “Bregdet i Pastër”. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër përmes gjyqtares Arta Llazari ka shpallur të paligjshëm arrestimin e tre punonjësve të Administratës të Zonave të Mbrojtura.

Po ashtu gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, masë kjo që u vendos pasi vetë punonjësit shprehën gatishmërinë e tyre për ta hetuar deri në fund këtë çështje dhe duke qenë të gatshëm që të japin çdo sqarim të mundshëm pranë oficerit të policisë gjyqësore. Tre punonjësit e ADZM Shkodër u arrestuan të dyshuar për “shpërdorim detyre”, hetim të cilin gjykata e ka hedhur poshtë.

Në njoftimin e saj pas arrestimit të Refik Zaganit, Vesel Tushës dhe Palë Keçit bëri të ditur se si rezultat i kontrolleve në Velipojë janë konstatuar një sërë shkeljesh si gërmime, shpyllëzime, rrethime me gardh me rrjetë dhe me shtylla betoni dhe sipas policisë këta punonjës të ADZM kanë pasur për detyrë parandalimin, zbulimin dhe luftimin e dëmtimit, pushtimit, shpërdorimit, tjetërsimit, shkretëtirëzimit apo degradimit të natyrës, të pyjeve, të tokës pyjore dhe cenimit nga ndërhyrjet e pakontrolluara në mjedisin natyror e ujor të zonës së mbrojtur.

Në fakt të gjitha këto dyshime dhe akuza janë mohuar nga Refik Zagani me detyrë roje mjedisore, Vesel Tusha, me detyrë specialist dhe Palë Keçi me detyrë roje mjedisore në zonat e mbrojtura në Shkodër. Po ashtu gjykata e shkallës së parë në Shkodër i rrëzoi këto dyshime duke liruar tre punonjësit e arrestuar teksa u shpall i paligjshëm arrestimi i tyre dhe u vendos “detyrim paraqitje”.

Edhe avokatët mbrojtës të të dyshuarve, Lulzim Karini dhe Besmi Kolçi hodhën poshtë akuzat ndërsa prokurorja Esmeralda Ndoci kërkoi “arrest me burg” duke qenë se në Velipojë janë bërë shpyllëzime, toka të zëna, ndërtime qoftë tek rezervati apo edhe pjesa e Vilunit, veprime të bëra ndër vite gjë për të cilën gjykata mendon se tre shtetasit që u arrestuan nuk kanë përgjegjësi duke vendosur lirimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb