Të tjera detaje zbardhen nga ngjarja tronditëse që ndodhi sot, ku një 52-vjeçar me COVID u hodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe ndërroi jetë.

Ngjarja ndodhi rreth orër 03:10 të mëngjesit. Gazetarja Dorjana Bezati raportoi në një lidhje telefonike për ‘News24’ se Preng Gjonaj prej gati një jave ishte shtruar në këtë spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar për shkak të prekjes nga COVID-19. Mësohet se 52-vjeçari nga Tropoja ishte i shtruar në katin e katërt, (repart ku shtrohen pacientët rëndë) ndërsa është vetëhedhur nga dritarja e dhomës së tij.

Kanë qenë mjekët ata që njoftuan të alarmuar policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Në kuadër të këtyre hetimeve, policia sekuestroi dhe kartelën e viktimës. Paraprakisht ka dyshime se vetëvrasja është kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të sëmundjes. Po ashtu Bezat tha se personi në fjalë nuk ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor. Aktualisht policia ka marrë në pyetje mjekë dhe infermierë, ndërsa vijon hetimet.

Kujtojmë se pak kohë më parë dy pacientë me koronavirus i dhanë fund jetës në këtë spital, ndërsa u hodhën nga lartësia.

Rasti i parë është regjistruar më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koça nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i këtij spitali, në gjendje të rënduar psikologjike, ku për pasojë ndërroi jetë. Ndërkohë, që në 2 shtator Hasan Mira, 65 vjeç, i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i këtij spitali, vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb