NGA: KLODIANA LALA*
Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës dosjen penale ndaj Elton Çakos, babait të dy fëmijëve, i cili do të përgjigjet para drejtësisë, për akuzën e trafikut të narkotikëve mbetur në tentativë. Çako u kap në tentativë për të trafikuar hashash drejt Greqisë. Në momentin e arrestimit, i pandehuri kishte në makinë fëmijët e mitur dhe gruan, me të cilën ishte divorcuar, por kishin rënë dakord të udhëtonin bashkë, pasi ajo do të shkonte drejt Greqisë për të bërë një vizitë mjekësore. Nga hetimet ka rezultuar se gruaja nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në makinë, ndaj nën akuzë është vënë vetëm Elton Çako.

DOSJA E PLOTË
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Elton Çako është banor i qytetit të Fierit. Ai është i martuar me G.Malaj, dhe nga martesa kanë dy fëmijë, djalë e vajzë të moshave, përkatësisht 9-të e 5 vjeç. Së fundi, rezulton se i pandehuri dhe Gestjana janë divorcuar, e megjithëkëtë jetojnë bashkë. Në Fier, i pandehuri ka një aktivitet privat “pastrim kimik”- për larje tapetash. I pandehuri ka në pronësi të tij automjetin Nisan “Almera”, me targa AA352JE. Me këtë automjet, dhe me të tjera automjete ai udhëtonte shpesh në Greqi. Para ngjarjes, në muajt janar, shkurt e mars ai ka udhëtuar disa herë me Gestjanën në Greqi, ku pasi ka qëndruar këtu një apo dy ditë, janë kthyer në Shqipëri. Në këto kalime në Greqi, me automjet, kryesisht i pandehuri udhëtonte në orët e para të mëngjesit (rreth orës 04:30’’- 05’’).

Së fundi, para ngjarjes, ai kishte hyrë në Shqipëri në datë 14.03.2015. Gjatë kësaj periudhe dyjavore qëndrimi në Shqipëri (deri ditën e ngjarjes), ai kishte arritur të siguronte sasinë e narkotikut, që kishte vendosur ta dërgonte në Greqi, për ta shitur në tregun e atjeshëm. Kalimin e sasisë së narkotikut (9 pakove që ai kishte siguruar) në territorin e shtetit grek, ai kishte vendosur ta bënte përmes fshehjes së pakove në automjetin e tij. Për këtë, në një ditë të papërcaktuar, para ngjarjes, ai ka krijuar në automjet një hapësirë poshtë dyshemesë së sediljes së shoferit dhe të pasagjerit, dhe këtu ka vendosur pakot me narkotikë (6 poshtë dyshemesë së sediljes së shoferit, dhe 3 poshtë dyshemesë së sediljes së pasagjerit të parë). Këtu ka vendosur një llamarinë, të cilën e ka montuar me vida, dhe ka vendosur dhe shtrojat sipër. Ngaqë Gestjana ka pasur nevojë të bënte një vizitë mjekësore në Greqi, ai ka rënë dakord që të udhëtonin për atje, bashkë me dy fëmijët.

I pandehuri nuk i tregoi asaj që në automjet kishte fshehur lëndë narkotike. Në orët e para të mëngjesit të datës 29.03.2015 (rreth orës 01:30- 02’’) ata (i pandehuri, e shoqja dhe dy fëmijët) udhëtuan me automjetin Nisan “Almera” nga Fieri, drejt pikës së kalimit kufitare Kakavijë. Këtu, vulosën pasaportat në dalje nga territori shqiptar, ndërsa pas kësaj automjeti i drejtuar prej tij, iu nënshtrua një kontrolli policor, në vijë të dytë të kontrollit, ku poshtë dyshemeve të sediljeve të shoferit dhe pasagjerit, në një vend të “përshtatur” posaçërisht për fshehjen e paketimeve me narkotik (në një hapësirë me thellësi 16 cm) iu gjetën 9 pakot me narkotik, në forma katërkëndore të mbështjella me natriban ngjitës ngjyrë kafe.

Pesha e gjithë materialit bimor rezultoi 13,6 kg (trembëdhjetë kilogram e gjashtëqind gram). Pesë prej pakove kishin peshën 11,6 kg, dhe katër të tjerat dolën me peshë 2 (dy) kg. Ekspertimi vlerësues që iu bë pakove me narkotik nxori rezultat negativ (nuk u gjetën gjurmë papilare të vlefshme për identifikim e krahasim me persona konkret). Fillimisht, në marrjet në pyetje, i pandehuri nuk dha një shpjegim për rastin flagrant, e më pas ai pranoi vetëm faktin, që lëndën narkotike e kishte fshehur vetë në automjet, se këtë e kishte bërë një ditë para ngjarjes, dhe se po atë ditë, më parë, ato pako me lëndë narkotike i kishte gjetur në një çantë sportive që i kishte rënë në rrugë nga dritarja një makine që udhëtonte me shpejtësi. Çantën e kishte marrë, dhe duke menduar se brenda pakove kishte lëndë narkotike, kishte vendosur ti fshihte në makinë dhe ti dërgonte në Greqi.

I pandehuri pohoi se pakot me lënë narkotike po i dërgonte në Greqi për të nxjerrë ndonjë lek nga shitja e tyre. Provohet se i pandehuri ka tentuar të kalojë jashtë territorit shqiptar, në Greqi, sasinë e narkotikut që iu sekuestrua. Kontrolli policor ndërpreu veprimin trafikues të narkotikut prej tij.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: