Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak më parë në qytetin e Korçës, ku një person u plagos me thikë pas një konflikti mes dy individëve.
Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si Gëzim Ramka, rreth 54 vjeç, ndërsa i plagosuri është Rigels Janaqi, rreth 42 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes tyre ka ndodhur për motive të dobëta dhe ka përfunduar me plagosjen me thikë të Janaqit.
Gazetarja Lorena Kodra raporton se i plagosuri është paraqitur në spital me thikën ende në qafë, ndërsa mjekët po punojnë për heqjen e saj dhe dhënien e ndihmës mjekësore.
Mësohet se i dëmtuari dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë, autori i dyshuar është arrestuar nga forcat e rendit.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Burime nga spitali bëjnë me dije se i plagosuri me thikë do të niset drejt spitalit të Traumës për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Thika i ka prekur cervikalen dhe ka rrezik për jetën, pritet të niset në kryeqytet.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 11:30, në lagjen nr. 14, shtetasi G. R., rreth 54 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin R. J., rreth 40 vjeç. Shtetasi R. J. është transportuar në spital dhe është në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin G. R., dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
