Një lajm i trishtë ka prekur thellë komunitetin e fshatit Mengël dhe gjithë familjen e shkollës 9-vjeçare Shkolla 9-vjeçare “Sulejman Rrançi” Mengël, pas ndarjes nga jeta të vogëlushit Algit. Përmes një mesazhi prekës të publikuar në faqen zyrtare të shkollës, stafi pedagogjik ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e nxënësit të tyre, duke e cilësuar atë si “një engjëll të vogël” që u largua shumë herët nga kjo botë.
Në reagimin emocional të shpërndarë nga shkolla, theksohet se korridoret dhe klasat tashmë ndihen ndryshe, të mbushura me heshtje dhe mungesën e buzëqeshjes së pafajshme të Algit, një fëmijë që kishte nisur të ndërtonte ëndrrat e jetës së tij.
“Sot zemrat tona janë të thyera… Një engjëll i vogël, Algit, u largua padrejtësisht dhe shumë herët nga kjo botë, duke lënë pas një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë”, shkruhet ndër të tjera në mesazhin e publikuar nga shkolla. Stafi i institucionit arsimor ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre në këtë moment tepër të rëndë. Në mesazhin e tyre, mësuesit dhe punonjësit e shkollës luten që vogëlushi të prehet në paqe dhe të mbetet përjetësisht në kujtesën e të gjithëve që e njohën.
Ngjarja ka prekur jo vetëm nxënësit dhe mësuesit, por edhe banorët e zonës, të cilët janë bashkuar në dhimbjen për humbjen tragjike të një fëmije. “U prehsh në paqe, Algit… Ti do të mbetesh përgjithmonë pjesë e zemrave tona”, përfundon dedikimi prekës i shkollës. Kujtojmë se regjisori Petri Bozdo teksa drejtonte mjetin, ka përplasur për vdekje vogëlushin.
