Nuk e prisja që një zënkë e vogël të degradonte në plagosje me thikë, për më tepër brenda ambienteve të shkollës. Që në 9-vjeçare shokët e klasës e ngacmonin, mendoj se debati shkoi deri në këtë pikë prej bullizmit”. Kështu është shprehur dje për “Gazeta Shqiptare” 17-vjeçari Kostandin Bodini, pas sherrit të ndodhur disa ditë më parë në ambientet e shkollës së mesme profesionale, “Antonia Athanas”, në Sarandë. 17-vjeçari, i cili u plagos me thikë nga shoku i tij i klasës thekson se bashkëmoshatari i tij e sulmoi për shkak të bullizmit të ushtruar ndaj tij për një periudhë të gjatë kohe.

Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” i riu justifikon veprimin e shokut të klasës duke treguar arsyet e këtij xhesti, ndërkohë kërkon të merren më shumë masa sigurie në gjimnaz.

Gjithashtu, Bodini shprehet se konflikti nuk do vazhdojë më tej, por uron ndërgjegjësim të bashkëmoshatarëve të tij që një ngjarje e tillë të mos përsëritet më.

Mund të na tregoni se si ndodhi konflikti mes jush dhe shokut tuaj të klasës, ditën e hënë?

Nisi si një debat i vogël me fjalë brenda në klasë. Në konflikt si unë dhe bashkëmoshatari im po tregonin se kush ishte më i forti. Pastaj ai u çua të më gjuante, dhe unë e godita, gjithashtu. Në një momenti shoku nxori thikën dhe më qëlloi. Ne kemi dy vjet bashkë në një klasë. Ka ndodhur më përpara të kemi debate me fjalë, por vetëm kaq, jo deri në këtë pikë.

Si mendoni, pse shkoi debati deri në këtë pikë?

Atë e ngacmonin pak çunat, ushtronin bullizëm , pasi ishte me syze dhe ishte i urtë. Por këto ngacmime kishin nisur që në 9-vjeçare. Mendoj se kjo ka qenë arsyeja që ai arriti deri në atë pikë, nuk besoj se ka dashur të më lëndonte.

Çfarë ndodhi pasi u plagosët?

Pas sherrit shkova vetë në spital në këmbë, u mjekova, nuk ndenja as gjysmë ore, më dhanë mjekimin e duhur, më qepën plagën, gjithashtu, mora dhe recetë. Pas kësaj vajta në komisarit nuk bëra denoncim, e mbylla çështjen me kaq në mënyrë që mos të vazhdohej, sepse mendoj se ishte një reagim i pamenduar nga ana e tij, nuk e ka bërë me dashje.

A mund të parandalohej kjo ngjarje?

Mendoj se po, n.q.s. ndërgjegjësohemi, por kjo gjë duhet të fillojë nga të gjithë ne, duke u munduar të jemi sa më korrekt dhe miqësor me bashkëmoshatarët e tjerë që gjërat mos të aprovojnë deri në këtë pikë.  Kjo pasi personi që ngacmohet dëmtohet shumë psikologjikisht dhe mund të arrijë deri në një situata të tillë. Ndaj jemi të gjithë ne që duhet t’i  parandalojmë këto raste duke rregulluar gabimet në radhë të parë të vetes sonë.

A disponon shkolla masat e duhura që një rasti i tillë të mos përsëritet?

Në shkollën tonë nuk ka dhe aq masa sigurie, ka persona që ndoshta prej moshës dhe kontrollit të dobët qoftë nga familja, qoftë nga shkolla, marrin mjete si p.sh. thikë në shkollë, gjë që nuk duhet të ndodhi.  Duan të duken, të bien në sy dhe ndihen të fortë. Kemi dhe psikolog, por nuk mbaj mend të na ketë mbajtur ndonjë seancë këshillimi, apo që nxënësit t’i drejtohen për probleme të ndryshme. Nuk besoj se si psikolog është i duhuri, pasi nuk ka ardhur të na këshillojë apo të na thërrasë kur ka parë që jemi ndeshur me ndonjë problem.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH:al: http://www.gsh.al/2017/10/30/sarande-u-plagos-thike-ne-ambientet-e-shkolles-17-vjecari-ndodhi-prej-bullizmit-nuk-e-prisja-qe/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: