Zbardhen detaje të reja nga atentati ndaj subjektit të OFL, Edison Begaj, mbrëmjen e të shtunës në Vlorë, ku u qëllua me katër plumba në këmbë, duke shpëtuar.

Gazetari Enrik Mehmeti, i cili ka siguruar për “BalkanWeb” sot videon e momentit, kur qëllohet 38-vjeçari, raporton se deri më tani janë shoqëruar mbi 12 persona, që janë miq të viktimës apo persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Siç raporton gazetari Mehmet për “BalkanWeb”, kamerat e sigurisë po përdoren për të identifikuar autorin, i cili ka një ecje tipike ndryshe, është një ecje mbase e sajuar.

“Autori i është afruar me një lëvizje tejet të qetë e të ftohtë. Ndoshta kemi të bëjmë me një profesionist, pasi forma, mënyra dhe çdo veprimi i autorit të ngjarjes është shumë e fortë, e një profesionisti. Nuk është nga ata të rinjtë, që afrohen të trembur. Kemi të bëjmë me një person që çdo lloj lëvizje e bën në mënyrën më të ftohtë. Ndoshta është një person “i rrahur” me ngjarje kriminale. Nuk dihet nëse ngjarja është një paralajmërim apo eliminim. Ndoshta ky është një ekzekutim i shkuar keq për autorët, por mund të jetë dhe një mesazh i koduar”, tha gazetari.

Vetë i plagosuri ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa pasi ka marrë mjekimin, është larguar nga spitali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb