Këtë të diel në programin “Dola te Ola” ishte e ftuar një nga ikonat e muzikës shqiptare, Liljana Kondakçi.

Një emër i madh i muzikës shqiptare që ka lënë gjurmë me zërin e saj të pakrahasueshëm, që për çudinë e të gjithëve nuk ka ndryshuar aspak, ka mbetur po ai zë i ëmbël dhe aq i dashur për të gjithë.

“Pasuria ime janë duartrokitjet e publikut”, tha Liljana, teksa shtoi se i është dashur të punojë shumë dhe përpiqet ende t’i japë muzikës, meqenëse zëri ia mundëson këtë.

Para se të niste rrugëtimin nëpër kujtime, ajo së bashku me vëllezërit korçarë këndoi këngën “Kur jemi bashkë të dy”, një duet ky që këngëtarja e ka kënduar me Luan Zhegun.

Gjatë rrëfimit Liljana zbuloi se ka kënduar që në moshën 3-vjeçare, dhe më tej kënga e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. “U regjistrova për balet në pallatin e pionierëve, por mendja më rrinte te kënga”. Ajo tregoi edhe momentin kur në pushimet e klasës së tetë teksa me një grup shoqesh kishin shkuar në vreshta dhe këndonin, e kishte spikatur dirigjenti Pjetër Gaci, i cili i la takim të nesërmen në Radio Tirana, ku e pëlqyen shumë dhe po atë ditë regjistroi një këngë për ‘Anketën muzikore’. Në studio Stefi improvizoi një këngë për ‘vreshtin’ dedikuar asaj që Liljana tregoi, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur.

Me tej, Liljana kujtoi se hyri në konkurs në Lice dhe fitoi për kanto, dhe ndërkohë që vazhdonte shkollën çdo muaj regjistronte edhe për “Anketën Muzikore”. Për herë të parë mori pjesë në Festivalin e 5-të në RTSH me këngën “Tekstilistes”, e më pas sikurse ajo tha e thërrisnin çdo vit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb