Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar homologun e tij francez, Emmanuel Macron për rizgjedhjen në krye të shtetit atje.

Meta shkruan në rrjete sociale se rizgjedhja e Macron do të nxisë më fort mbështetjen gjeostrategjike rajonal për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Postimi i Ilir Metës:

I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Emmanuel Macron,
Rizgjedhja Juaj si President i Francës, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës Franceze.
Besoj fort se marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Francës, miqësia, bashkëpunimi dhe partneriteti euroatlantik do të rriten e forcohen edhe më shumë, gjatë mandatit tuaj të ri.

Bashkëpunimi i ngushtë dypalësh edhe shumëpalësh është shumë i rëndësishëm sot, si në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe si vende të NATO-s, veçanërisht në përballjen me sfidat rajonale, europiane dhe globale që të dy vendet tona kanë përpara.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian, shpresoj fort se, rizgjedhja Juaj si President i Francës do të nxisë edhe më fort mbështetjen që ky proces i rëndësishëm gjeostrategjik rajonal dhe europian të përfundojë me sukses dhe në kohën e duhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb