Eurodeputetja e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, ka komentuar për News24 protestat qytetare që prej 31 ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se kur një numër i madh njerëzish kërkojnë të dëgjohen, politika ka detyrimin t’i dëgjojë.
E pyetur nga gazetari Erion Kaçorri nëse protestat, të cilat nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në një kërkesë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, përfaqësojnë një krizë më të gjerë besimi ndaj institucioneve, Guarda u shpreh:
“Nuk është roli im të analizoj kërkesat dhe nëse ato janë të drejta apo jo. Por do të thoja se kur ka një numër kaq të madh njerëzish që kërkojnë të dëgjohen dhe të shihen nga një politikan, është e nevojshme të kuptohet pse dhe çfarë po ndodh. Dhe kështu, jo vetëm të tërhiqemi në një mënyrë politike, por politikanët të hapin veshët e tyre për të dëgjuar njerëzit. Kjo është ajo që ka rëndësi. Ne po u shërbejmë njerëzve, jo interesave”.
Duke u ndalur te rezoluta e fundit e Parlamentit Europian dhe shqetësimet për zhvillimet në zonat e mbrojtura të Shqipërisë, eurodeputetja tha se Grupi i të Gjelbërve ishte iniciatori i amendamentit që kërkonte pezullimin e projektit në Zvërnec.
“Jo, dhe kjo është arsyeja pse ne si Grupi i të Gjelbërve ishim ata që propozuam amendamentin e famshëm që kërkoi ndalimin e projektit dhe moratoriumin derisa të kuptojmë se po respektohet plotësisht kuadri i BE-së. Duhet të kemi vlerësim mjedisor, vlerësim autonom me pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Dhe, nëse mund të them, ky është një problem shqiptar, në rregull, por në Itali po jetojmë pothuajse të njëjtën situatë.
Pra, me një resort me pesë yje, pa dëgjuar njerëzit dhe pa vlerësim mjedisor. Dua të them se hyrja në Bashkimin Evropian nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të jemi, si qytetarë dhe politikanë, koherentë dhe të kontrollojmë atë që po ndodh, duke respektuar ligjet tona dhe duke kuptuar rëndësinë e këtyre ligjeve. Prandaj e ndjeva kaq të çmuar aktivizmin e qytetarëve për çështjet mjedisore dhe për koherencën e një politike që bëhet për njerëzit”, tha ajo.
Në fund, Guarda theksoi se dialogu dhe transparenca me qytetarët janë parime themelore të demokracisë, jo vetëm për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe për vetë shtetet anëtare.
“Është shumë e rëndësishme, por jo vetëm për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE-së, por edhe për shtetet anëtare që janë tashmë në BE. Zakonisht politikanët në këtë moment… ndjej se shumë politikanë në mbarë botën po bëjnë zgjedhje pa respektuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj dua të them se marr pjesë në këto protesta dhe vlerësoj ndjeshmërinë, ndjenjën e demokracisë që njerëzit kërkojnë. Por ndërkohë, unë po u kërkoj edhe njerëzve të mi në Itali dhe në Evropë që të jenë elastikë dhe të jenë gjithashtu të gatshëm t’i kërkojnë më shumë politikanëve”, tha ajo.
